Ylli kosovar Milot Rashica ka shkuar te qendra e ndihmave për t’iu ndihmuar familjeve të prekura nga tërmeti në Turqi.
Galatasaray vazhdon të dërgojë ndihma në Turqi, derisa këtë herë edhe lojtarët si Milot Rashica, Kazimcan Karatas, Kaan Ayhan dhe Baran Aksaka kanë shkuar për t’iu ndihmuar.
Lojtarët ishin të pranishëm në “Nef Stadium” duke iu qëndruar pranë familjeve të prekura nga tërmeti në Turqi.
Një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh e goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore të hënën në mëngjes, duke vrarë mbi 21 mijë njerëz.
Rashica që jeton në Stamboll për Nacionalen para disa ditëve tregoi se nuk e ka dëgjuar tërmetin.
“Ngjarjen tragjike që e ka goditur Turqinë këtu ku jam unë nuk e kemi dëgjuar. Ky është një rast mjaft i rëndë. Lë të lutemi për sa më pak viktima në njerëz”, tha ai.
Tërmeti i tmerrshëm, i cili goditi në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, i ka prekur edhe shumë sportistë në Turqi.
Deri tani raportohet për disa sportistë të vdekur dhe shumë të tjerë të lënduar gjatë tërmetit.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur mbi 21 mijë e 700 sipas autoriteteve vendase.
Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 4 mijë njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.
Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.
Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.
Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.
Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.