Ministrat e jashtëm arabë mbajtën një takim urgjent sot në Kajro për të diskutuar sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
“Ne shfaqim solidaritetin tonë me palestinezët në Gaza, sepse ata po përballen me një masakër që duhet të ndalet dhe të dënohet menjëherë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, në fjalimin e tij të hapjes.
Takimi u mbajt pas një kërkese nga Autoriteti Palestinez për të diskutuar përpjekjet arabe për të ndalur bombardimet izraelite.
Forcat izraelite filluan një fushatë të vazhdueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet e Izraelit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim paralizues që nga viti 2007.
Më shumë se 2.300 njerëz janë vrarë në periudhën aktuale të dhunës, duke përfshirë të paktën 1.100 palestinezë dhe 1.200 izraelitë.