RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Ministria e Jashtme risistemoi zyrtarët nëpërmjet rregullores së jashtëligjshme

ministria-e-jashtme-risistemoi-zyrtaret-nepermjet-rregullores-se-jashteligjshme

Rregullorja mbi të cilën Ministria e Punëve të Jashtme nxori disa vendime për risistemim të zyrtarëve është kontestuar përmes një aktgjykimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka anuluar vendimin për shuarjen e pozitës së drejtorit në MPJD. Derisa në MPJD nuk kanë ofruar sqarime lidhur me pasojat e këtij vendimi, përfaqësues të opozitës kanë thënë se tani do të duhet shfuqizuar edhe vendimet e tjera që, sipas tyre, janë nxjerrë në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

Një aktgjykim i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka konstatuar të jetë në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, rregullorja mbi të cilën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nxjerrë dhjetëra vendime për sistemim. Themelorja e ka konstatuar këtë gjatë vendosjes së ankesës së ish-drejtorit të përgjithshëm në MPJD, Albert Prenkaj, pozita e të cilit është shuar pas riorganizimit të brendshëm.

Kësisoj, Gjykata Themelore e ka anuluar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil që kishte konfirmuar vendimin e MPJD-së për shuarjen e pozitës së Prenkajt, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

“Rregullorja nr.01/2022 është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe në kundërshtim të plotë me vetë nenin 4 të kësaj rregulloreje, sepse në njërën anë nuk parashihet pozita e drejtorit të përgjithshëm e në nenin 9 është përcaktuar në mënyrë decidive pozita e drejtorit të përgjithshëm në MPJ, andaj vendimi i të paditurës është në kundërshtim të plotë me nenin 48, paragrafi 2, të Ligjit për Administratën e Përgjithshme, sepse një arsyetim që është dukshëm i pamjaftueshëm, i paqartë, kundërthënës. Prandaj, bazuar në dispozitat e lartcekura konsiderojmë se ky vendim përmban shumë shkelje ligjore duke i përfshirë shkeljet materiale dhe gjithashtu përmes këtij vendimi nuk është bërë vërtetimi i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike që paraqet shkelje tjetër”, shkruan në arsyetimin e vendimit. “Rregulloret nxirren për implementimin e Ligjit dhe duhet të jenë në pajtim me ligjin. Po ashtu e paditura duke vepruar në mënyrë jo të drejtë iu shmanget Ligjit për shërbimet e jashtme të Republikës së Kosovës, sepse është një ligj special dhe nuk mund të shfuqizohet me asnjë akt nënligjor dhe me asnjë ligj tjetër”.

Sipas aktgjykimit, e paditura në këtë rast Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, me rastin e nxjerrjes së këtij vendimi të kontestuar nuk iu ka referuar drejt Ligjit nr.06/L-133, për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura, e që në nenin 3 parasheh që administrata ushtron veprimtarinë e saj në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe legjislacionit të zbatueshëm të Kosovës.

“Vendimi i kundërshtuar është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij. Fillimisht gjykata konstaton se me vendimin e atakuar refuzohet ankesa e këtu paditësit, kurse në arsyetimin e saj konstatohet se KPMSHCK-ja nuk ka kompetencë lëndore që të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të natyrës së tillë dhe se në kuptim të nenit 54 të Ligjit për Zyrtarët Publikë referon edhe kundërshtimin me mjete juridike për çdo veprim apo mosveprim të organit të punësimit në kundërshtim me këto dispozita ligjore”, shkruan në arsyetim.

“Vendimet u nënshkruan nga personi i paautorizuar”

Pavarësisht vendimit të Themelores, MPJD-ja e ka pezulluar Prenkajn deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e Komisionit Disiplinor.

E Prenkaj, përmes një përgjigjeje me shkrim ka deklaruar se brenda MPJD-së ekziston një grup i organizuar që për qëllim ka të shkaktojë konfuzion mes institucioneve dhe drejtësisë, si dhe t’i frikësojë zyrtarët e diplomatët.

“Para nxjerrjes së rregullores në fjalë, stafi drejtues i MPJD-së, pra drejtorët e departamenteve nuk janë konsultuar fare. Rregullorja është punuar nga një grup me asnjë përvojë në punët administrative dhe menaxheriale të shërbimit të jashtëm. U janë dhënë prioritet orientimeve që në asnjë formë nuk mund të jenë prioritet i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Është shuar Drejtoria e Përgjithshme si pozicion menaxherial në mes kabinetit, departamenteve politike, ambasadave të Kosovës dhe ambasadave të huaja në Kosovë”, ka thënë Prenkaj.

Ai ka theksuar se është shuar departamenti më i rëndësishëm i krijimit të politikave, që është Departamenti Rajonal, duke i dhënë orientim politikës së jashtme në Subsaharë e në gjeografi të tjera.

“Arsyetimi i nxjerrjes së kësaj rregulloreje është se ajo u bazua në Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke pretenduar se ky ligj suprimon të gjitha aktet e tjera, përfshirë Ligjin për Shërbimin e Jashtëm që është një nga ligjet organike shtetërore, gjë të cilën e vërteton Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës: A.nr.1142/2022, numri i lëndës: 2022: 092229, datë: 20.03.2023, Numri i dokumentit 04100866, i cili APROVON si të bazuar kërkesë paditësit dhe ANULON vendimin e KPMSHCK-së A. nr.216/2022 datë 14.04.2022”, ka potencuar Prenkaj.

Duke qenë se Ligji për Zyrtarët Publikë përcakton se si dhe cili nivel mund të ushtrojë detyrën e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm, dhe cili është afati i ushtrimit të detyrës së zëvendëssekretarit të përgjithshëm, gjegjësisht sekretarit të përgjithshëm, sipas Prenkajt, dokumentet e nënshkruara nga i ashtuquajturi zëvendëssekretar i përgjithshëm, bazuar në kornizën ligjore janë nënshkruar nga person i paautorizuar dhe i jashtëligjshëm.

“Për më tepër, vendimet e nxjerra nga niveli më i lartë udhëheqës i Ministrisë tashmë janë subjekt i shqyrtimit të organeve të drejtësisë: KPMSHCK, prokurori, gjykatë, Ombudsperson, Agjencia Antikorrupsion. Besoj se së shpejti institucionet kompetente do ta vërtetojnë këtë shkelje”, ka thënë Prenkaj.

Në kuadër të risistemimit brenda MPJD-së ishte transferuar edhe udhëheqësi i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, njëherësh kryetar i Shoqatës Sindikale të MPJD-së, Agron Maloku, në Ministrinë e Shëndetësisë. Edhe pas dy vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, që i kërkoi ministrisë fillimisht t’i shterojë mundësitë për sistemimin brenda MPJD-së, ky institucion nxori vendim të njëjtë për transferim në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani Maloku ka deponuar kallëzim penal ndaj MPJD-së në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Related posts

Mali i Zi ndalon kalimin kufitar me certifikatë të lindjes, edhe fëmijët nën 18 vjeç duhet të kenë dokument udhëtimi

admin

Shumica e votuesve besojnë se Biden është shumë i vjetër për mandatin e dytë

admin

OKB detyrohet të ndalë dërgimin e ndihmave në Gazë – VIDEO

rezart morina