RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Nagavci: Dhuna në shkolla është e papranueshme, siguria nuk është opsion por obligim

nagavci:-dhuna-ne-shkolla-eshte-e-papranueshme,-siguria-nuk-eshte-opsion-por-obligim

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar lidhur me rastin e dhunës të ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.

Sipas saj, shkolla duhet të jetë hapësirë e sigurt, e bazuar në respekt, dialog dhe mirëkuptim, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit. Nagavci theksoi se rastet e dhunës nuk prekin vetëm nxënësit, por edhe mësimdhënësit, stafin shkollor, prindërit dhe gjithë komunitetin, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve.

Ajo theksoi se përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve është proces i përbashkët mes shkollës dhe prindërve, duke nënvizuar rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.

Ministrja bëri të ditur se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla, ndërsa çdo rast duhet të raportohet në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA).

Mosraportimi i rasteve, sipas saj, përbën shkelje të obligimeve institucionale.

Nagavci theksoi se Drejtoritë Komunale të Arsimit mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zbatimin e masave ligjore, duke paralajmëruar se çdo neglizhencë apo mosveprim përbën dështim institucional.

Pas raportimeve në media për rastin në fjalë, Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë duke dalë në terren, ndërsa të gjitha gjetjet do të trajtohen pa kompromis në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.

“Ndalimi i dhunës në shkolla nuk është çështje deklaratash, por veprimi. Siguria në shkolla nuk është opsion, është obligim”, ka theksuar Nagavci, duke shtuar se Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e mirëqenies dhe sigurisë në procesin arsimor.

Related posts

Irani: Evropa me mbështetjen e saj për Iz’raelin bllokoi të gjitha kanalet diplomatike

Muhamet Ramadani

Stuhitë shkatërrojnë strehimoret në Gaza, ndërsa Izraeli vazhdon të bllokojë ndihmat

RTI

Lu’fta në Ga’za, sul’met iz’raelite vr’asin 39 pa’lestinezë në 24 orët e fundit

admin