RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

NATO-ja po “monitoron për së afërmi” forcat bërthamore të Rusisë

nato-ja-po-“monitoron-per-se-afermi”-forcat-berthamore-te-rusise

(AP/CNN) – Ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julie Smith, tha të martën se nuk ka parë “asnjë ndryshim” në mbështetjen e aleancës për Ukrainën.

“Unë nuk shoh asnjë ndryshim në angazhimin e aleatëve për ta mbështetur Ukrainën përmes ndihmës humanitare ekonomike dhe të sigurisë”, u tha Smith gazetarëve gjatë një konference virtuale. “Unë shoh 30 aleatë rreth tryezës që janë plotësisht të bashkuar në pikëpamjen e tyre se lufta e Putinit vazhdon të jetë një fyerje për paqen ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, se askush prej nesh nuk do t’i njohë përpjekjet e Rusisë për aneksim, të cilat i kemi parë kohët e fundit dhe kostot e kësaj lufte, të luftës së Rusisë brenda Ukrainës, vazhdojnë të rriten”.

Duke pritur me padurim takimin e të mërkurës të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, ajo tha se aleatët do të fokusohen në vlerësimin e nevojave të mbrojtjes së Ukrainës në terren dhe se si vendet mund të ndihmojnë më shpejt.

“Fokusi ynë që nga fillimi ka qenë te shpejtësia”, tha ajo, duke shtuar se SHBA-ja ka qenë në kontakt me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ministrin e Mbrojtjes që nga fillimi i luftës. “Ne po vlerësojmë vazhdimisht se cilat janë nevojat e tyre – duke i bashkuar me vendet që kanë asetet që u nevojiten dhe duke kërkuar mënyra për t’i marrë ato asete në duart e forcave ushtarake brenda Ukrainës sa më shpejt që të jetë e mundur nga ana njerëzore”.

Smith mbrojti gjithashtu ofrimin e armëve të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, duke pretenduar se nevojat e fushëbetejës së Kievit kanë evoluar gjatë rrjedhës së luftës; Megjithatë, tema e qëndrueshme ka qenë mbrojtja ajrore, tha ajo.

Rusët në festë

Breshëria e sulmeve raketore të Moskës në qytete në të gjithë Ukrainën ka nxitur komente festive nga zyrtarët rusë dhe ekspertët pro-Kremlinit, të cilët javët e fundit kanë kritikuar në mënyrë aktive ushtrinë ruse për një sërë pengesash të turpshme në fushën e betejës.

Komentatorët nacionalistë rusë dhe korrespondentët e luftës së medias shtetërore vlerësuan sulmet e së hënës dhe të së martës si kundërpërgjigje të përshtatshme dhe të shumëpritur ndaj një kundërofensive të suksesshme ukrainase dhe një sulmi të fundjavës në urën midis Rusisë dhe Krimesë, gadishulli i çmuar i Detit të Zi, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Shumë prej tyre argumentuan se Moska duhet të vazhdojë me intensitetin e goditjeve të fundit për ta fituar luftën tani. Disa analistë sugjeruan se presidenti rus, Vladimir Putin, po bëhej peng i pikëpamjeve të aleatëve se si duhet të zhvillohet fushata në Ukrainë.

“Iniciativa e Putinit po dobësohet dhe ai po bëhet më i varur nga rrethanat dhe ata që po e falsifikojnë ‘fitoren’ (në Ukrainë) për të”, shkroi Tatyana Stanovaya, themeluese e grupit të pavarur të mendimit R.Politik, në një koment në internet të hënën.

“Frika nga disfata është aq e fortë, veçanërisht për ata që tani janë zhytur plotësisht në këtë sipërmarrje ushtarake, saqë pavendosmëria e Putinit, me logjikën e tij ‘nuk kemi filluar ende asgjë’ dhe ‘taktikat e përmbajtura kanë dhënë rezultat’, është bërë problem”, tha analistja.

Për javë të tëra, mbështetësit e Putinit kanë bërë thirrje për hapa drastikë në fushën e betejës në Ukrainë. Nxitjet u intensifikuan gjatë fundjavës pas një shpërthimi në urën e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë; ura, më e gjata në Evropë, është një simbol i shquar i fuqisë ushtarake ruse. Vetë Putini e inauguroi në vitin 2018.

“Dhe?”

“Dhe?” – pyeti Margarita Simonyan, drejtuese e televizionit RT të financuar nga shteti rus, në mediat sociale për reagimin e Moskës ndaj sulmit të urës, të shtunën.

“Ky është një nga ato raste kur vendi duhet të tregojë se ne mund të kundërpërgjigjemi”, shkroi Alexander Kots, korrespodent lufte për tabloidin popullor pro-Kremlinit, Komsomolskaya Pravda.

Ligjvënësi i lartë rus, Sergei Mironov, i cili drejton partinë Rusia e Drejtë e mbështetur nga shteti, postoi në Twitter se Moska duhet të shpërfillë opinionin perëndimor në formulimin e përgjigjes së saj ndaj sulmit të dukshëm.

“Është koha për të luftuar! Egërsisht, madje edhe mizorisht. Pa shikuar mbrapa në çfarëdo censurimi nga Perëndimi”, shkroi në Twitter Mironov.. “Nuk do të ketë sanksione më të mëdha. Ata nuk do të thonë fjalë më të këqija. Ne duhet ta bëjmë gjënë tonë. E filluam – duhet të shkojmë deri në fund. Nuk ka rrugë kthimi. Koha për t’u përgjigjur!”

Përgjigja erdhi të hënën në mëngjes, kur Rusia lëshoi ​​njëkohësisht dhjetëra raketa në qytetet ukrainase, duke vrarë dhe plagosur shumë dhe duke shkaktuar dëme të paprecedentë në infrastrukturën kritike të Ukrainës. Sulmet, të cilat goditën 15 qytete të Ukrainës, shumica prej tyre kryeqytete rajonale, rrëzuan linjat e energjisë elektrike, dëmtuan stacionet hekurudhore dhe rrugët dhe lanë qytetet pa furnizime me ujë.

Për herë të parë pas disa muajsh, raketat ruse shpërthyen në zemër të Kievit, kryeqyteti i Ukrainës, në afërsi të rrezikshme me ndërtesat qeveritare.

“Ja kundërpërgjigjja”

Putini tha se sulmet ishin në hakmarrje për ato që ai i quajti veprimet “terroriste” të Kievit që synonin urën e Kerchit dhe u zotua për një përgjigje “të ashpër” dhe “proporcionale” nëse Ukraina kryen sulme të mëtejshme që kërcënojnë sigurinë e Rusisë.

“Askush nuk duhet të ketë dyshime për këtë”, tha ai.

“Këtu vjen përgjigja”, shkroi Simonyan e RT-së pas sulmeve. “Ura e Krimesë ishte ajo vijë e kuqe që në fillim”.

Ramzan Kadyrov, udhëheqësi i fortë i Çeçenisë, rajon rus në Kaukazin e Veriut, tha se tani ishte “100% i lumtur” me rrjedhën e “operacionit special ushtarak” të Kremlinit në Ukrainë. Kadyrov ishte ndër përkrahësit më të zjarrtë të “masave më drastike”, duke përfshirë përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët.

Guvernatori i Krimesë i instaluar nga Moska, Sergei Aksyonov, i përshkroi sulmet e së hënës si “lajm të mirë”.

Brohoritjet nga mbështetësit e Kremlinit erdhën me kërkesat që Putini dhe ushtria ruse të mbanin ritmin dhe intensitetin e sulmeve dhe dëmin e shkaktuar në infrastrukturën e Ukrainës.

Aksyonov tha se “nëse veprime të tilla për të shkatërruar infrastrukturën e armikut do të ishin ndërmarrë çdo ditë, atëherë ne do të kishim përfunduar gjithçka në maj dhe regjimi i Kievit do të ishte mposhtur”.

“Shpresoj që tani ritmi i operacionit nuk do të ngadalësohet”, shkroi Aksyonov.

Prezantuesi kryesor i RT-së, Anton Krasovsky, postoi një video duke kërcyer në një ballkon me një helmetë me shkronjën Z, simboli që forcat ruse pikturuan në automjetet ushtarake, ndërsa pushtuan Ukrainën. Në një postim tjetër në Telegram, ai tha se dëmtimi i linjave të energjisë elektrike të Ukrainës “nuk ishte i mjaftueshëm! Jo i mjaftueshëm!”

Putini në presion

Një gazetar tjetër i televizionit shtetëror, Andrei Medvedev, i quajti sulmet e së hënës “një hap logjik, të cilin jo vetëm shoqëria e ka kërkuar prej kohësh – situata ushtarake kërkonte një qasje të ndryshme ndaj armiqësive”.

“Dhe kështu ndodhi. Por a ndryshon shumë?” – pyeti Medvedev, i cili punon për grupin televiziv shtetëror të Rusisë VGTRK dhe është anëtar në Këshillin e Qytetit të Moskës.

“Nëse goditjet në infrastrukturën kritike bëhen të rregullta, nëse goditjet në hekurudha, ura dhe termocentrale bëhen pjesë e taktikave tona, atëherë po, ajo ndryshon (situata)”, shkroi Medvedev. “Por tani për tani, sipas deklaratave (zyrtare), një vendim për të zhytur Ukrainën në kohërat mesjetare nuk është marrë”.

Analisti politik, Stanovaya, tha në një postim në Telegram se Putini ishte përballur me “presione të fuqishme” përpara bombardimeve të së hënës “për të kaluar në veprime agresive, bombardime masive” dhe kjo e shtyu udhëheqësin rus të vepronte.

“Që sot, mund të thuhet se Putini u bind të përdorte një linjë më agresive. Dhe kjo korrespondon me mirëkuptimin e tij për situatën. Por është një shpat i rrëshqitshëm – nuk ka rrugë kthimi”, ka shkruar Stanovaya. /Përktheu: Forca Jashari/koha.net

Related posts

Brenda 7 ditëve bëhen 100 mijë porosi paraprake për automjetin turk Togg T10X

rezart morina

Greqi: Priten temperatura deri në 45 gradë Celsius në disa rajone

admin

Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë takohet me presidentin Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë

admin