Para se të nisnin ndryshimet klimatike, thatësia godiste Hemisferën Veriore një herë në 400 vjet, mirëpo tani thatësia ekstreme është duke ndodhur një herë në 20 vjet
Thatësia ekstreme që sivjet është konfirmuar në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kinë është bërë 20 herë më e mundshme shkaku i ndryshimeve klimatike, thuhet në studimin e ri.
Hulumtuesit nga Atributi i Motit të Botës, grup i shkencëtarëve nga krejt bota që studion lidhjet mes motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike, thotë se ky lloj i thatësisë do ta godiste Hemisferën Veriore një herë në 400 vjet, nëse nuk do të ishin ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Tani thatësitë ekstreme ka më shumë mundësi që të ndodhin një herë në 20 vjet. Mirëpo me ndryshimet e vazhdueshme klimatike, këto lloje të thatësisë mund të ndodhin çdo vit.
Shkencëtari Marteen van Aalst nga Qendra e Klimës për Kryqin e kuq ndërkombëtar, thotë se ndryshimet po ndodhin shumë më shpejt.
“Kemi parë shenjat e ndryshimeve klimatike në këto thatësi, dhe ndryshimet klimatike po na godasin edhe më fort. Nuk po godasin vetëm shtetet e varfra siç është Pakistani, mirëpo në studimin tonë kemi thënë se thatësia ka goditur edhe shtetet më të pasura të botës, siç është Evropa Qendrore Perëndimore”, ka theksuar Van Aalst. “Nuk mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se ndikimi do të jetë kaq i vështirë dhe i shpejtë”.
Për të kuptuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në thatësinë që goditi Hemisferën Veriore, shkencëtarët kanë analizuar të dhëna, kanë bërë simulime kompjuterike dhe kanë analizuar dheun nëpër rajone të ndryshme.
“Ky studim tregon qartë shenjat e ndryshimeve klimatike. Përsëri them se kjo duhet të jetë si thirrje për zgjim nga gjumi dhe se nuk duhet ta shmangim këtë problem. Duhet t’i reduktojmë emetimet dhe duhet të investojmë në energjinë e ripërtërirë. Duhet të përgatitemi më shumë edhe ndaj të reshurave ekstreme”, ka shtuar Van Aalst.
Shkencëtarët kanë zbuluar se ndryshimet klimatike i kanë bërë kushtet e tokës edhe më të thata, sidomos në muajt e fundit. /koha