RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nënshkruhen dokumente dypalëshe mes qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

nenshkruhen-dokumente-dypaleshe-mes-qeverive-te-serbise-dhe-maqedonise-se-veriut

Gjatë vizitës në Beograd të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ministrat e qeverisë së tij dhe qeverisë së Serbisë kanë nënshkruar disa dokumente dypalëshe, transmeton Anadolu.

Këto dokumente synojnë afrimin e mëtejshëm të vendeve, ekonomive dhe popujve të dy vendeve dhe të cilat rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara për nismën e Ballkanit të Hapur.

Sipas njoftimit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, memorandumi i nënshkruar ndërmjet ministrave të brendshëm të dy vendeve fqinje ka të bëjë me lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve në vendkalimin kufitar Tabanovcë-Preshevë.

“Të vetëdijshëm për nivelin e lartë të trafikut të automjeteve të pasagjerëve që krijohet në këtë pikë kufitare, ekipet e ministrive të brendshme, sektorët e IT-së dhe policisë kufitare, administratat doganore dhe ministritë e transportit nga të dyja vendet kanë punuar prej disa muajsh për të gjetur zgjidhje. Janë përcaktuar disa lloje masash, zbatimi i të cilave do të përmirësojë, lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e pasagjerëve”, thuhet në njoftim.

Këto masat, theksohet më tej, para së gjithash i referohen infrastrukturës në terren dhe modelit të menaxhimit të përbashkët të kufirit.

Memorandumi i dytë i nënshkruar ka të bëjë me një projekt për sistemet e rrjetëzimit për pagesën elektronike në pikë pagesa të autostradave. Sipas njoftimit, me intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe me nivelin e lartë të lidhjes mes dy vendeve, numri i qytetarëve që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Serbi ose anasjelltas po rritet çdo ditë.

Thuhet se me nënshkrimin e memorandumit, së shpejti të gjithë qytetarët e Serbisë me pajisjen ‘TAG’ të instaluar do të mund të kalojnë pikë pagesat në Maqedoninë e Veriut pa ndalesë dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut kur të udhëtojnë përmes Serbisë.

Gjithashtu theksohet se edhe intensiteti i automjeteve dhe pasagjerëve që përdorin këto dy vende si tranzit drejt vendeve të treta është i lartë.

“Në këtë drejtim, vazhdimisht po përmirësojmë infrastrukturën e autostradave dhe po ndërtojmë autostrada të reja, por po investojmë edhe në zgjidhje digjitale që lehtësojnë udhëtimin duke rrjetëzuar sistemet elektronike të pagesave në pikë pagesa”, tha qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Memorandumi i tretë, i cili po ashtu u nënshkrua në Beograd, ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e minierave dhe energjetikës.

“Me këtë memorandum tregojmë vullnetin tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin reciprok, në mënyrë që të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik. Energjia është një shtyllë e ekonomisë dhe me këtë memorandum, ndër të tjera, inkurajohen dhe mbështeten investimet e përbashkëta nga të dyja vendet, veçanërisht për ndërtimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, prodhimin e energjisë dhe ndërlidhjen e sistemeve të gazit dhe energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Related posts

Me pranga në duar dhe i mbështjellë me qese mbeturinash, zbardhet misteri i 50-vjeçarit që u gjet i vdekur! Çfarë shkruhej në letrat që iu zbuluan në xhep

admin

SHBA-ja dërgon nëndetësen me energji bërthamore në Lindjen e Mesme

admin

OKB: Mbi 600 të vrarë nga bandat në Haiti vetëm gjatë muajit prill

rezart morina