RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Nesër takimi në Bruksel, por nga 22 nëntori nis shqiptimi i gjobave për serbët që nuk konvertuan targat

neser-takimi-ne-bruksel,-por-nga-22-nentori-nis-shqiptimi-i-gjobave-per-serbet-qe-nuk-konvertuan-targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Brukselit ku pritet të takohet me përfaqësuesit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, por edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ky takim në mes Kurtit dhe Vuçiq pritet të zhvillohet pas disa kohësh, e pas shumë zhvillimesh në Kosovë , sidomos në veri të vendit.

Takimi pritet të nis nesër në ora 08:00, ndërsa ky takim vie pikërisht në ditën kur sipas planit të Qeverisë së Kosovës përshihet të nis zbatimi i fazës së dytë për ri-regjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.

Ende nuk është qartësuar se si do të veprojë Qeveria e Kosovës tutje, e lidhur me këtë çështje padyshim se pritet që të ketë diskutim nesër në Bruksel.

Që nga 1 nëntori kur edhe Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për ri-regjistrimin e automjeteve me targa të paligjshme serbe, tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Qeveria e Kosovës ka planifikuar që të gjitha këto makina me targa ilegale të konvertohen në RKS, deri më 21 prill të vitit 2023, ndërsa janë rreth 9 mijë makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës-të banuar me shumicë serbe-që nga paslufta, më 1999.

Shtetet e Bashkuara por edhe Bashkimi Evropian, vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet ky afat, për ri-regjistrimin e automjeteve të cilat posedojnë targa ilegale.

Pavarësisht vendimeve të qeverisë, serbët në veri të vendit kanë kundërshtuar konvertimin e targave, e në disa raste ata që i konvertuan ato u kërcënuan duke iu djegur veturat apo edhe duke iu djegur lokale të shumta.

Madje duke mos mbetur me kaq, në shenjë kundërshtimi në lidhje me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës.

Si fillim është shkarkuar drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut , Nenad Gjuriq. I njëjti është shkarkuar për shkak të sabotimit të punës pikërisht në lidhje me targat.

Pas kësaj, nga Lista Serbe njoftuan se janë larguar nga institucionet e Kosovës, teksa dorëheqjet vazhduan me rreth 600 zyrtarë policorë nga nacionaliteti serb, me zyrtarët e Doganës së Kosovës, prokurorë, gjyqtarë e zyrtarë të KQZ-së, nga ky nacionalitet.

Përpos kërkesës për shtyrjen e afatit për targa, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE vazhdimisht është bërë thirrje për formimin e menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë e cila është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, Policia e Kosovës sot ka njoftuar se deri në mesditën e sotme janë shqiptuar 1 mijë e 740 fletëqortime për serbët të cilët nuk kanë konvertuar targat e automjeteve.

Përpos kësaj, Policia ka njoftuar se nga 22 nëntori deri më 21 janar 2023 do të ketë gjoba prej 150 euro, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

“Deri më datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga 22 nëntor deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të fillojë zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Pas të gjitha zhvillimeve në veri të Kosovës, pritet të shihet nëse takimi i nesërm në Bruksel do të “shfaqë” ndonjë marrëveshje të re, apo do të ketë vazhdim të masave të ndërmarra më herët nga Qeveria e Kosovës, ku serbëve do t’u shqiptohen gjobat në rast të mos konvertimit të këtyre targave.

Related posts

Kosova e feston Ditën e Evropës, por rruga e saj drejt BE-së është e gjatë dhe shumë sfiduese

rezart morina

Josep Borrellit i kërkohet dorëheqja: Evropa duhet të qëndrojë me Kosovën

rezart morina

Largohet nga puna veç pse po agjëronte

RTI