RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Netanyahu: Kabineti izraelit i luftës javën e ardhshme do të miratojë “planet operative” në Rafah

netanyahu:-kabineti-izraelit-i-luftes-javen-e-ardhshme-do-te-miratoje-“planet-operative”-ne-rafah

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se ai ka vendosur që në fillim të javës së ardhshme të miratojë “planet operative” në lidhje me qytetin Rafah, një qytet në jug të Rripit të Gazës ku po strehohen mbi 1 milion palestinezë në kushte të mjerueshme, transmeton Anadolu.

“Në fillim të javës, unë do të takohem me kabinetin e luftës për të miratuar planet operative në Rafah, duke përfshirë evakuimin e banorëve civilë”, tha Netanyahu në një konferencë për media.

Për javë të tëra, kërcënimet izraelite për të nisur një operacion tokësor në Rafah, ngjitur me kufirin me Egjiptin, janë përshkallëzuar pavarësisht paralajmërimeve në rritje rajonale dhe ndërkombëtare për pasoja të mundshme katastrofike.

“Ne po punojmë për të arritur një kornizë tjetër për lirimin e pengjeve tona, si dhe për përfundimin e eliminimit të batalioneve të Hamasit në Rafah. Kjo është arsyeja pse dërgova një delegacion në Paris dhe sonte do të diskutojmë hapat e ardhshme në negociata”, shtoi Netanyahu.

Bisedimet në Paris për të arritur një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit filluan të premten pasdite, me pjesëmarrjen e një delegacioni izraelit të kryesuar nga shefi i Mossad-it, David Barnea, shefi i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel.

Gjatë bisedimeve nuk u arrit asnjë marrëveshje. Megjithatë, media izraelite dje raportoi se delegacioni negociator izraelit u kthye nga Parisi dhe foli për “negociata të mira dhe një atmosferë pozitive”.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, e përditshmja Yedioth Ahronoth tha se bisedimet ishin “të mira, madje zgjatën më shumë se sa ishte planifikuar”, megjithëse ka ende terren për t’u mbuluar.

Sipas mediave izraelite, bisedimet u përqëndruan në katër kërkesa të Hamasit që Tel Avivi i kundërshton, përfshirë kthimin e të gjithë banorëve të Rripit të Gazës veriore dhe evakuimin e të gjitha forcave të ushtrisë izraelite nga ajo zonë.

Ekzistojnë tre “çështje të tjera kontestuese”, raportuan mediat, duke përfshirë ndihmën e shtuar humanitare, kohëzgjatjen e armëpushimit dhe numrin e të burgosurve palestinezë që do të lirohen.

Një armëpushim i mëparshëm midis Hamasit dhe Izraelit u arrit për një javë nga 24 nëntori deri më 1 dhjetor, i ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, gjatë të cilës armiqësitë u ndërprenë, u shkëmbyen disa të burgosur dhe ndihma humanitare jashtëzakonisht e kufizuar u dorëzua.

Sipas burimeve zyrtare nga të dyja palët, Izraeli beson se 134 izraelitë mbahen ende në Gaza, ndërsa në burgjet e tij mbahen të paktën 8.800 palestinezë.

Qyteti Rafah është dëshmitar i një fluksi të madh pasi atje po strehohen të paktën 1.4 milion palestinezë, duke përfshirë më shumë se 1 milion të zhvendosur që ikën nga operacionet e ushtrisë izraelite në pjesët veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës, duke pretenduar se është një “zonë e sigurt”.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë mbi 29.600 palestinezë, ka plagosur rreth 70 mijë të tjerë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme në enklavën palestineze. Nga pala izraelite, Tel Avivi thotë se rreth 1.200 njerëz u vranë në sulmin e Hamasit.

Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Related posts

Kurti uron Erdoganin: Mezi pres ta thellojmë bashkëpunimin mes Kosovës e Turqisë

rezart morina

Egjipti mban zgjedhjet presidenciale

rezart morina

Vuçiq: Nuk do ta njohim pavërsinë e Kosovës as de fakto, as de jure

rezart morina