RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nga Corleone te Assad: ngritja dhe rënia e një dinastie

nga-corleone-te-assad:-ngritja-dhe-renia-e-nje-dinastie

Ashtu si tek “The Godfather” trashëgimia, besnikëria dhe kontrolli i forcës u bënë themeli i regjimit

Pushteti i familjes Assad mbi Sirinë përfundoi në dhjetor 2024, kur Bashar al-Assad u largua drejt Rusisë, ndërsa ushtria e tij u shpërbë përballë ofensivës së forcave kryengritëse.

Megjithatë, përtej rënies së regjimit, historia e familjes tregon se si Hafez al-Assad arriti ta kthente një republikë në një sistem, ku fati i shtetit u lidh ngushtë me fatin e një familjeje.

Një mënyrë interesante për ta kuptuar këtë histori është përmes filmit “The Godfather” të Francis Ford Coppola-s dhe familjes imagjinare Corleone.

Krahasimi nuk mund të jetë i plotë, pasi Corleone-t ishin një familje mafioze, ndërsa Assadët sundonin një shtet real. Por të dyja historitë kanë elemente të përbashkëta: përzgjedhjen e trashëgimtarit, martesat që marrin karakter politik, kontrollin e forcës dhe një sistem ku familja bëhet qendra e vendimmarrjes.

Ashtu si Vito Corleone ndërtoi ndikimin e tij në Nju Jork, Hafez al-Assad u ngrit nga Qardaha e Latakias përmes ushtrisë dhe grushteve të shtetit, derisa mori pushtetin në vitin 1970.

Ai ndërtoi një sistem sigurie ku institucionet kontrollonin njëra-tjetrën dhe ku asnjë figurë nuk mund të bëhej më e fuqishme se presidenti. Vendimet më të rëndësishme shpesh merreshin brenda rrethit familjar, ndërsa institucionet shtetërore shërbenin kryesisht për t’i formalizuar ato.

Hafez nuk sundoi vetëm. Rreth tij u mblodhën figura të fuqishme të Partisë Baath, ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë, të cilat kontrollonin pjesë të ndryshme të shtetit, por mbeteshin të varura nga favori i presidentit.

Vëllai i tij, Rifaat Al-Assad, u bë një prej figurave më të fuqishme ushtarake dhe për një kohë u pa si pasardhësi i mundshëm. Por kur Hafez u sëmur rëndë në vitin 1983, elitat e vendit nuk e pranuan Rifaatin si trashëgimtar.

Pas rikthimit në skenë, Hafez e bëri të qartë se zgjedhja e pasardhësit i përkiste vetëm atij. Trashëgimtari i parë ishte Bassel al-Assad, djali që u përgatit për vite me radhë për të marrë presidencën. Ai kishte profil ushtarak dhe paraqitej nga propaganda zyrtare si udhëheqësi i ardhshëm.

Por në janar 1994, Bassel humbi jetën në një aksident automobilistik. Vdekja e tij ndryshoi menjëherë planin e trashëgimisë dhe Hafez thirri nga Londra djalin tjetër, Basharin, një mjek okulist që deri atëherë nuk ishte përgatitur për të drejtuar vendin.

Ashtu si Michael Corleone në film, Bashari ishte fillimisht një trashëgimtar i padëshiruar. Ai ishte i qetë, i arsimuar në Perëndim dhe dukej larg botës së ushtrisë dhe politikës. Kur mori pushtetin në vitin 2000, shumëkush priste një shkëputje nga e kaluara.

Periudha e parë, e njohur si “Pranvera e Damaskut”, solli debate politike dhe shpresa për reforma. Por kjo periudhë zgjati pak: forumet u mbyllën, aktivistët u arrestuan dhe aparati i sigurisë rifitoi kontrollin e gjithçkaje.

Me shpërthimin e protestave në Dara në vitin 2011, regjimi u përball me zgjedhjen mes reformës dhe represionit. Zgjodhi të dytën. Lufta dhe shtypja e mëvonshme e bënë gjithnjë e më të vështirë ndarjen mes shtetit dhe regjimit.

Ushtria, shërbimet e sigurisë dhe forcat e drejtuara nga Maher al-Assad u kthyen në shtyllat kryesore të pushtetit. Edhe martesat dhe marrëdhëniet familjare kishin pasoja politike.

Assef Shawkat, i martuar me Bushra al-Assad, u fut në rrethin më të ngushtë të pushtetit dhe u bë një prej figurave më të rëndësishme të sigurisë. Ndërkohë, Asma Al-Assad u shfaq fillimisht si fytyra moderne e regjimit.

E lindur dhe e arsimuar në Londër, ajo u pa në Perëndim si simbol i një Sirie të re, por me kalimin e viteve edhe ajo u përfshi në sistemin që Bashari trashëgoi nga i ati.

Në familjen Assad kishte gjithashtu një krah financiar. Mohammed Makhlouf dhe më pas djali i tij, Rami Makhlouf, administruan një pjesë të rëndësishme të pasurisë dhe interesave ekonomike të familjes.

Përplasja e Basharit me Ramin pas vitit 2019 tregoi se pasuria, njëlloj si pushteti, nuk konsiderohej pronë individuale, por pjesë e një sistemi që familja mund ta rishpërndante sipas interesave të saj.

Në fund, si në sagën e Corleone-ve, pushteti u kthye në burimin e rënies. Pas më shumë se pesë dekadash, regjimi i Assadëve u shemb dhe Bashari u largua nga Siria. Sistemi që Hafez kishte ndërtuar ishte aq i personalizuar, sa dobësimi i familjes solli edhe dobësimin e vetë regjimit.

Një shtet institucional mund t’i mbijetojë themeluesit të tij, ndërsa një shtet i personalizuar e ka shumë më të vështirë. Kur institucionet shndërrohen në zgjatime të një familjeje, mbijetesa e shtetit lidhet me mbijetesën e saj.

Dhe kur familja dobësohet, i gjithë sistemi mund të shembet bashkë me të. tesheshi

Related posts

Parlamenti Europian miraton rregullat e reja për kthimin e emigrantëve të paligjshëm, Meloni: Sukses historik për Italinë

admin

Gaza, rritet në 27.708 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Muhamet Ramadani

Presidenti i rrëzuar i Koresë së Jugut dënohet me 5 vjet burg

admin