RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Një kishë në Palestinë në vend të pemës, dekorohet me rrënoja si reagim ndaj sulmeve izraelite në Gaza

nje-kishe-ne-palestine-ne-vend-te-pemes,-dekorohet-me-rrenoja-si-reagim-ndaj-sulmeve-izraelite-ne-gaza

Një kishë në qytetin historik të Bethlehemit në Bregun Perëndimor të okupuar përgatiti një dekoratë për Krishtlindjet e këtij viti duke përdorur rrënoja në vend të pemës, në përgjigje të sulmeve të Izraelit në Gaza.

“Teksa po kryhet gjenocidi kundër popullit tonë në Gaza, ne nuk mund ta festojmë lindjen e Jezu Krishtit këtë vit në asnjë mënyrë. Nuk ndjejmë dëshirë për të festuar”, tha për Anadolu pastori i Kishës Ungjillore Luterane të Krishtlindjeve në Bethlehem, Munzir Is’hak.

Teksa rrugët në botën e krishterë janë zbukuruar dhe qytetet ndriçohen gjatë Krishtlindjeve, kishat në Palestinën e pushtuar u përmbahen aktiviteteve festive ekstravagante, duke kufizuar festimet e Krishtlindjeve në lutjet dhe ritualet.

Kështu, në vend që të dekorohej me pemë të Krishtlindjes këtë vit, kisha zgjodhi një dekorim të bërë nga rrënojat, që simbolizonte shkatërrimin në Gaza.

Dekorimi përfshin një grumbull rrënojash nga copa betoni rreth një fidani ulliri dhe në qendër është vendosur një foshnjë lodër për të simbolizuar një foshnjë të bllokuar nën mbeturina.

Rreth këtyre rrënojave, janë vendosur degë pemësh të thyera, ikona të ndryshme dhe qirinj.

Is’hak tha se dekorimi me rrënoja në vend të dekorimeve të Krishtlindjeve në kishë është një mesazh për veten dhe botën.

“Mesazhi ynë për veten tonë është ky: Zoti është me ne në këtë dhimbje. Krishti lindi në solidaritet me ata në dhimbje dhe vuajtje. Zoti është me të shtypurit”, tha ai, duke shtuar: “Së dyti, ne donim t’u thonim kishave në mbarë botën: ‘Për fat të keq, Krishtlindjet në Palestinë janë të tilla’. Qofshim të krishterë apo muslimanë, kjo është situata që po kalojmë në Palestinë. Jemi të ekspozuar ndaj një lufte gjenocidi që ka në shënjestër të gjithë palestinezët. Fatkeqësisht, kur mendojmë për lindjen e Jezu Krishtit, mendojmë për foshnjat e vrara brutalisht në Gaza”.

Pastori theksoi se sulmi i Izraelit në Gaza ka “vrarë frymën e Krishtlindjes”.

Të krishterët nga e gjithë bota vizitojnë qytetin e Bethlehemit në fund të dhjetorit të çdo viti për të festuar Krishtlindjet, duke besuar se është “vendlindja e Jezusit”.

Related posts

KE nis hetime ndaj AliExpress, akuzohet për shitje produktesh të rrezikshme

admin

Avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Osmani: Zëri i popullit më pro perëndimor meriton të dëgjohet

admin

Lajçaku nesër në Kosovë

admin6