RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Njeriu që mbulon të vdekurit në Gaza

njeriu-qe-mbulon-te-vdekurit-ne-gaza

Brenda një dhome të vogël e të ngushtë, të mbuluar me pllaka të bardha, një burrë punon me zell çdo ditë për orë të tëra.

Për më shumë se një muaj, Abu Saher al-Maghari ka qëndruar në këtë dhomë, duke u kujdesur për trupat që kanë mbërritur në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa në Rripin qendror të Gazës.

53-vjeçari, i cili ka një karakter të qetë, prej 15 vjetësh i pastron, i mbulon me qefin dhe i bën gati të vdekurit në këtë spital. Por që kur ofensiva izraelite në Rripin e Gazës filloi më 7 tetor, Al-Maghari ka qenë dëshmitar i një fluksi të madh trupash, shumë prej tyre të gjymtuar.

Kur u pyet për trupat që ka parë, Al-Maghari filloi të qajë.

“Unë kurrë nuk kam përjetuar një periudhë kaq të vështirë në jetën time”, tha Al-Maghari, duke fshirë lotët nga mjekra e tij e bardhë.

“Gjatë gjithë viteve të karrierës sime, kam bërë gati 30 deri në maksimum 50 trupa në ditë, dhe në rastin e përshkallëzimeve të mëparshme ushtarake izraelite, numri mund të arrinte në rreth 60”, kujton ai.

Tani ai bën gati rreth 100 trupa në ditë, dhe ndonjëherë ky numër mund të rritet deri në 200, në varësi të intensitetit të bombardimeve dhe zonave të shënjestruara nga avionët luftarakë izraelitë.

“Shumica e trupave arrijnë në spital në gjendje shumë të keqe”, tha Al-Maghari. “Gjymtyrë të copëtuara, mavijosje të rënda dhe plagë të thella në të gjithë trupin. Unë kurrë nuk kam kaluar një gjë të tillë më parë”.

“Varreza” e fëmijëve

Numri më i madh i viktimave janë fëmijë e gra dhe natyra e plagëve të tyre është e panjohur për të.

“Ajo që më trishton më shumë është mbulimi i fëmijëve me qefin”, tha Al-Maghari. “Më thyhet zemra derisa mbledh gjymtyrët e fëmijëve dhe i mbuloj. Çfarë faji kanë ata?”

Gjatë 34 ditëve të fundit, më shumë se 10.800 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës.

Ky numër përfshin më shumë se 4.400 fëmijë dhe 2.900 gra, si rezultat i së cilës sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e përshkroi Gazën si një “varrezë” për fëmijët.

Sipas Mohammed al-Hajj, zëdhënës i spitalit, trupat e të paktën 2476 palestinezëve kanë mbërritur në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa që nga fillimi i luftës në Gaza.

Spitali pati kapacitet prej 200 shtretërish për pacientët para luftës, por u detyrua të shtonte më shumë për shkak të më shumë se 5300 të plagosurve që kanë mbërritur në spital gjatë muajit të kaluar, tha al-Hajj.

“E zgjeruam kapacitetin e shtretërve në 431 shtretër dhe kjo na vuri përpara një dileme dhe sfide për t’iu shërbyer gjithë këtyre pacientëve”, tha ai.

Al-Maghari, i cili ndonjëherë punon me një asistent, ka mbuluar me qefin të gjithë trupat që kanë mbërritur në spital.

“Unë e filloj ditën time duke mbuluar me qefin të vdekurit dhe të vrarët, nga ora gjashtë në mëngjes deri në tetë të mbrëmjes pa u ndalur”, i tha ai :Al Jazeeras”, pasi vodhi një moment për të falur namazin e ikindisë.

Disa nga trupat që mbërrijnë janë në gjendje të avancuar dekompozimi me kocka të dukshme dhe aromë të padurueshme, pasi qëndrojnë për ditë të tëra nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara.

Trupat e tjerë mbërrijnë pa gjymtyrë, disa të djegur përtej njohjes dhe identifikimit, tha Al-Mahgari. Kjo është diçka e re, shtoi ai. Plagët janë aq të panjohura për të, saqë ai pyet veten nëse natyra e raketave dhe eksplozivëve të përdorur në sulmet izraelite janë të ndryshme nga ato që janë përdorur më parë.

Momente lamtumire

Pavarësisht tmerreve të përditshme, Al-Maghari vazhdon punën e tij si gjithmonë. Ai thotë se është i bindur se anëtarët e familjes duhet të kenë të drejtën t’u thonë lamtumirë të dashurve të tyre.

“Misioni im paraqet një sfidë të madhe”, tha ai. “Prindërit jashtë vuajnë për humbjen e tyre, bërtasin e qajnë për fëmijët. Kështu që unë përpiqem të jem aq i dhembshur sa mundem dhe të punoj për t’i bërë trupat të duken të paraqitshëm në mënyrë që ata t’u thonë lamtumirë”.

Al-Maghari fokusohet në pamjen e përgjithshme të të vdekurve, duke fshirë gjakun dhe pluhurin, pastaj duke shkruar emrat e tyre në qefin.

Anëtarët e mbijetuar të familjes tronditen kur shohin gjymtyrët e trupit të të dashurve të tyre, të cilat ai i mbulon me kujdes.

“Këto momente të lamtumirës përfundimtare janë gjithmonë zemërthyese dhe mizore”, tha ai. “Ndonjëherë marr trupa që nuk kanë tipare të dukshme, për shkak të copëzave shpërthyese. Këtu unë i mbuloj me qefin për të kursyer anëtarët e familjes që t’i kujtojnë të dashurit e tyre në një gjendje kaq grafike”.

Shpesh, atij i duhet t’i mbulojë trupat brenda ambulancave që mbërrijnë në spital, sepse është thjesht shumë e vështirë të bartësh pjesët e copëtuara të trupit në vendin e tij të punës për t’u larë dhe për t’u mbuluar.

Al-Maghari tha se numri i trupave që mbërritën në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa u dyfishua pas zhvendosjes masive të banorëve të Gazës në jug.

“Çdo ditë, gra, burra dhe fëmijë, të gjithë civilë, vriten në sulmet izraelite në shtëpitë e tyre ose në vendet publike ose gjatë udhëtimit për në jug”, tha ai.

“Nuk ka kohë për të qarë”

Al-Maghari beson se diskutimi i pasojave që kjo punë ka për shëndetin e tij mendor është një “luks” në dritën e kushteve katastrofike me të cilat po përballet sektori i shëndetësisë.

“Përballja me këtë numër trupash të copëtuar dhe të djegur, shumica prej tyre fëmijë, kërkon një nivel të lartë të qëndrueshmërisë psikologjike që jo çdo qenie njerëzore e posedon”, tha ai. “Përballem me një provë të vërtetë çdo ditë. Nuk ka kohë për të qarë, por ne jemi njerëz”.

Puna e Al-Magharit në këto kushte të rrezikshme nuk i lë atij mundësinë të mendojë për familjen e tij, e cila jeton në kampin e refugjatëve Nuseirat, në qendër të qytetit të Gazës.

“Si të gjithë prindërit, kam frikë për familjen time, por mezi mund të komunikoj me ta ose të qetësohem”, tha babai i pesë fëmijëve.

“Kur kthehem në shtëpi, nuk jam në gjendje të flas fare me familjen time”, shtoi ai. “Gjithçka që kërkoj prej tyre është të më lënë të qetë, edhe pse më mungojnë. Është përtej kontrollit tim”.

Derisa bombardimet izraelite dhe ofensiva tokësore vazhdojnë, ai e di se është e mundur që sulmet izraelite të kenë cak edhe shtëpinë e tij.

“Unë shpesh imagjinoj se fëmijët e mi mund të jenë në mesin e viktimave që unë do t’i mbuloj me qefin në çdo moment”, tha Al-Maghari. “Të gjithë janë në shënjestër, pa përjashtim”.

Përktheu: Forca Jashari /koha

Related posts

Lista pritet të bëhet publike shpejt, ja kush janë ambasadorët dhe emisarët e rinj të BE-së në Ballkanin Perëndimor

admin

SHBA, Britani, Australi me nëndetëse me energji bërthamore në përgjigje të Kinës

rezart morina

Myftiu Tërnava vuri gurthemelin e xhamisë së re në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë

admin