Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Munir al-Bursh tha sot se për shkak të mungesës së fondeve Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vendosur të ndalojë furnizimin me naftë për më shumë se 20 spitale dhe qendra shëndetësore në enklavën bregdetare të rrethuar, transmeton Anadolu.
“Nën dritën e mungesës së madhe të karburantit, vajrave dhe dështimit për të ofruar minimumin e nevojshëm për të operuar spitalet dhe qendrat shëndetësore në Rripin e Gazës, OBSH-ja njoftoi pezullimin e furnizimeve me naftë për më shumë se 20 spitale dhe qendra shëndetësore, duke filluar nga 19 shtatori, për shkak të mungesës së fondeve”, tha Al-Bursh në një deklaratë.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga OBSH-ja mbi vendimin e cituar nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, megjithëse organizata ka paralajmëruar në muajt e fundit për rënien e fondeve për aktivitetet dhe programet e saj.
“Sasitë e kufizuara të karburantit që arrijnë në enklavë mezi i mbajnë gjallë institucionet shëndetësore”, tha Al-Bursh.
“Ndalimi i furnizimeve nuk do të thotë vetëm që gjeneratorët do të fiken, por edhe mbyllja e sallave të operacionit dhe njësive të kujdesit intensiv, ndërprerja e ventilatorëve dhe stacioneve të oksigjenit si dhe kërcënime për jetën e fëmijëve në inkubatorë, pacientëve në dializë, të plagosurve dhe atyre me sëmundje kronike”, shtoi ai.
Ai tha se kriza do të paralizojë gjithashtu ambulancat dhe zinxhirët e ftohtë për ilaçe dhe vaksina.
“Kriza e karburantit po i shtyn spitalet drejt mbylljes së plotë dhe po i lë pacientët përballë vdekjes së parandalueshme”, tha Al-Bursh duke e përshkruar ndërprerjen e furnizimit me karburant nga spitalet si “vrasje të heshtur të pacientëve në shtretërit e tyre”.
Ai i bëri thirrje OBSH-së, donatorëve dhe bashkësisë ndërkombëtare të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre urgjente, të sigurojnë furnizime të vazhdueshme me karburant dhe vajra në sasi të mjaftueshme dhe të garantojnë shpërndarjen e tyre të sigurt dhe të qëndrueshme në të gjitha institucionet shëndetësore.
– Gjeneratorët e energjisë ndalojnë së punuari
Njoftimi përkon me mungesën e naftës dhe pjesëve rezervë për gjeneratorët e energjisë që operojnë në spitalet e Gazës, gjë që bëri që disa prej tyre të ndaloonë së punuari, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë të dielën.
“Ditët e fundit janë parë disa gjeneratorë të ndalojnë së punuari për shkak të mungesës së vajrave, pjesëve rezervë dhe sasive të mjaftueshme të karburantit”, tha ministria. Ajo shtoi se mungesa e vajit për gjeneratorët në spitalet e Gazës po përkeqëson vështirësinë e mbajtjes së tyre në punë për të përmbushur nevojat e përditshme të energjisë elektrike.
Gjeneratorët e energjisë janë burimi kryesor i energjisë elektrike për spitalet për të operuar departamentet jetike dhe pajisjet mjekësore mes një ndërprerjeje të plotë të energjisë elektrike në të gjithë Gazën për të tretin vit radhazi që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në tetor 2023.
Gjeneratorët ndalojnë së punuari për shkak të mungesës së karburantit, mes mbylljes nga Izraeli të pikës kufitare “Kerem Shalom” midis Gazës dhe Izraelit që nga tetori 2023 dhe pushtimit dhe kontrollit nga ushtria izraelite të pikës kufitare “Rafah” midis Gazës dhe Egjiptit që nga maji 2024.
Që atëherë, të dy pikëkalimet janë hapur vetëm në një bazë të kufizuar për kalimin e dhjetëra pacientëve, të plagosurve dhe të kthyerve në Gaza si dhe hyrjen e ndihmës së kufizuar humanitare, ndihmës dhe mjekësore.
Zyra e medias e qeverisë së Gazës ka thënë vazhdimisht se Izraeli po i shmanget detyrimeve të tij sipas marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga 10 tetori 2025, përfshirë lejimin e sasive të dakorduara të ndihmës dhe karburantit të nevojshëm për sektorët jetikë për të hyrë në enklavë.
Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza më 8 tetor 2023, më shumë se 73 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 174 mijë të tjerë janë plagosur ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.

