OKB-ja tha se fluksi i furnizimeve humanitare që hyjnë në Rripin e Gazës u rrit në korrik, por paralajmëroi se kufizimet kritike mbeten në fuqi, ndërsa nevojat humanitare në të gjithë enklavën mbeten “të jashtëzakonshme”, transmeton Anadolu.
“Të dhënat e mbledhura përmes Mekanizmit 2720 të OKB-së tregojnë një rritje prej 33 për qind të vëllimit të furnizimeve që ne dhe partnerët tanë mundëm të dërgonim në Gaza në korrik, krahasuar me qershorin. Kjo është më shumë se 55.000 paleta ndihmash, rreth 35.000 tonë metrikë ose 2.600 kamionë me furnizime, duke na afruar me nivelet e regjistruara para se të fillonte përshkallëzimi rajonal në fund të shkurtit”, u tha gazetarëve zëvendëszëdhënësi Farhan Haq.
Rreth 60 për qind e këtyre furnizimeve ishin ushqime, të ndjekura nga sasi më të vogla të artikujve për strehim, ujë, kanalizime, higjienë dhe shëndetësi, tha Haq.
“Megjithatë, partnerët tanë humanitarë paralajmërojnë se mbeten kufizime për llojet e furnizimeve që lejohen të hyjnë në Gaza”, shtoi ai.
Zëvendëszëdhënësi gjithashtu foli për situatën humanitare në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku OKB-ja dhe partnerët humanitarë vizituan Kampin Qalandia në Kuds pas një operacioni ushtarak izraelit dyditor.
“Ekipet tona konstatuan dëme të përhapura në shtëpi dhe biznese, ndërsa dhjetëra familje raportuan dëme në dyer, dritare dhe mobilie, pasi forcat izraelite kaluan kohë brenda shtëpive të tyre. Shumë prej tyre raportuan humbje të konsiderueshme financiare”, tha Haq.
Që kur Izraeli nisi luftën gjenocidale ndaj Rripit të Gazës në tetor 2023, ushtria izraelite dhe pushtuesit kanë intensifikuar sulmet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke vrarë të paktën 1.182 palestinezë, duke plagosur rreth 13.000 dhe duke arrestuar afro 25.000, sipas shifrave zyrtare palestineze.

