RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB: Refuzimi i qasjes nga Izraeli pengon dërgesat humanitare

okb:-refuzimi-i-qasjes-nga-izraeli-pengon-dergesat-humanitare

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephane Dujarric, tha se refuzimet e bëra nga ushtria izraelite për hyrje po pengojnë dërgesat humanitare në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

“Kolegët tanë humanitarë po raportojnë se kufizimet izraelite në importin e pajisjeve kritike, duke përfshirë pajisjet e komunikimit, po komprometojnë rëndë operacionet e sigurta dhe efektive të ndihmës kudo në Gaza”, tha Dujarric.

“Në veri, ne dhe partnerët tanë po përpiqemi të rrisim dërgesat humanitare, por refuzimet e qasjes nga ushtria izraelite po parandalojnë këtë rritje”, tha ai, duke shtuar se gjatë dy javëve të para të janarit, vetëm shtatë nga 29 misionet e planifikuara ishin kryer plotësisht ose pjesërisht.

Duke iu kthyer disponueshmërisë së ujit për pije dhe përdorim shtëpiak në Gaza, Dujarric tha se uji po mbaron çdo ditë e më shumë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tashmë raporton 152 mijë raste raste të diarresë, më shumë se gjysma në mesin e fëmijëve nën moshën pesë vjeç, tha Dujarric, duke shtuar se pamundësia për të bërë klorimin e ujit për të vrarë bakteret po përkeqëson situatën tashmë shqetësuese.

Ai gjithashtu u shpreh se mungesa e tualeteve dhe shërbimeve sanitare rrit shqetësimet për përhapjen e sëmundjeve.

“Aktivitetet e ndërprera të vaksinimit rutinë, si dhe mungesa e ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve ngjitëse, po rrit më tej rrezikun e përhapjes së sëmundjeve”, shtoi ai.

Lidhur me një takim midis diplomatit të lartë rus dhe një përfaqësuesi të Hamasit në kryeqytetin Moskë, Dujarric tha se OKB-ja mbështet diskutimet që do të çonin në një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe lirimin e pakushtëzuar të pengjeve.

“Ne nuk jemi të përfshirë në këto diskutime, por e kuptojmë që po zhvillohen diskutime diplomatike në vende të ndryshme. Duhet të ketë diskutime mes palëve të interesuara”, tha ai, duke shtuar:

“Ne vetëm shpresojmë që çfarëdo diskutimi që po mbahet, të çojë në një rezultat pozitiv për popullin e Gazës dhe për popullin e Izraelit”.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit, për të cilin Tel Aviv thotë se u vranë 1.200 njerëz.

Të paktën 24.762 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 62.108 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka lënë 85 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendosur, në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Related posts

Vuçiq: Ditë e vështirë për serbët dhe Serbinë

admin

YouTuberi musliman korean do të ndërtojë xhami në Incheon

rezart morina

Paguan mbi 70 mijë euro për rrugët që nuk u shtruan sipas kontratës, aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Suharekës

admin6