Zëvendës Komisionerja e Lartë e OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Kelly Clements tha se mbi 128 mijë persona janë larguar nga Libani në Siri pas sulmeve të Izraelit, transmeton Anadolu.
Clements nga llogaria e saj në X bëri një postim lidhur me situatën në Liban i cili ndodhet nën sulmet izraelite.
“Dhuna në rritje e përkeqëson edhe më shumë gjendjen e popullit në Liban që aktualisht ndodhet në situatë të vështirë. Mbi 128 mijë persona kanë kaluar në Siri në kërkim të sigurisë”, tha Clements.
Ajo më tej shtoi se nevojat vazhdojnë të rriten çdo ditë.
– Në sulmet e Izraelit në Liban humbën jetën 1.374 persona
Ushtria izraelite e cila që nga 8 tetori 2023 vazhdon konfliktin e kontrolluar me Hazbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Sipas autoriteteve libaneze, gjithsej 1.374 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë që nga 17 shtatori kur shpërthyen pajisjet e komunikimit “pager” të përdorura nga Hezbollahu.
Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.
Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.
Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, dhjetëra mijëra persona kanë migruar në Siri.