Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani së bashku me kolegun e tij bullgar, Nikollaj Millkov, kanë vizituar në spital në Sofje, Hristijan Pendikov, i cili të enjten ishte sulmuar fizikisht në Ohër. Kryediplomati Osmani deklaroi se incidenti nuk reflekton vlerat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të shoqërisë multietnike.
“Ne do të kujdesemi që të ketë zero tolerancë për dhunën si përgjigje ndaj çfarëdo problemi, e më së paku ndaj bashkëjetesës ndëretnike. Mohimi i komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut nuk do të lejohet, ashtu siç nuk do të lejohet mohimi i popullit maqedonas dhe së bashku – maqedonasit, bullgarët, shqiptarët, turqit dhe të tjerët do të jetojnë njëlloj të lirë”
Osmani ka deklaruar gjithashtu se çdo ardhje e politikanëve që fyejnë dhe mohojnë popullin maqedonas, do të duhet të trajtohet seriozisht. Sipas Osmanit, rrethi vicioz në të cilin kanë hyrë së fundi të dyja vendet duhet të ndalet.
Në anën tjetër, kryediplomati bullgar Nikollaj Millkov, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund traditës së keqe të vënies së zjarreve dhe të sulmeve ndaj njerëzve.
“Hristijan Pendikov vuajti për shkak të ideve të tij. Situata nuk duhet të vazhdojë në këtë mënyrë. Bullgaria këmbëngul me vendosmëri që autorët e këtij akti dhe akteve të tjera të ngjashme të ndëshkohen me rreptësinë e ligjit, për t’i dhënë fund me atmosferën e mosndëshkimit, e cila lind dhunë të re”
Ndërkohë, dje kryediplomati Millkov paralajmëroi edhe ashpërsimin e kundërshtimit bullgar për integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut, në rast se nuk plotësohen zotimet e marra nga Shkupi, sidomos futjen e bullgarëve si komunitet kushtetues. /shenja