RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani takohet me liderë botërorë në Samitin e Frankofonisë

osmani-takohet-me-lidere-boterore-ne-samitin-e-frankofonise

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar disa takime me liderë botërorë në hapjen zyrtare të punimeve të Samitit të krerëve të shteteve anëtarëve të Organizatës së Frankofonisë, që mblodhi 88 shtete në Tunizi.

Siç është njoftuar të shtunën nga Presidenca, në hapje të Samitit u diskutua mbi vlerat e përbashkëta të cilat i kultivon Organizata e Frankofonisë, përfshirë diversitetin kulturor, etnik e gjuhësor, si dhe parimet bazë të saj, sikur janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, politik e social.

Në Samit, sipas njoftimit, presidentja u mirëprit nga presidenti i Tunizisë Kais Saied dhe kryeministrja e Tunizisë, Najla Bouden dhe nga sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, Louise Mushikiwabo.

Ndërkaq në margjina të Samitit, Osmani kishte diskutime me Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë, Emmanuel Macron, president i Francës, Charles Michel, president i Këshillit Evropian, Alexander De Croo, kryeministër i Belgjikës, Macky Sall, president i Senegalit, Paul Kagame, president i Ruandës, Mohamed Ould Ghazouani, president i Mauritanisë, Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Shtetit të Katarit, Hamad Bin Abdulaziz Al Kawari, me Ioannis Kasoulides, ministër i Jashtëm i Qipros, me Sylvie Baïpo Temon, ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Afrikës Qendrore, me Moussa Faki, kryetar i Komisionit të Unionit Afrikan, si dhe me liderë të tjerë pjesëmarrës.

Më pas, siç thuhet në njoftim, Osmani mbajti një fjalim në sesionin e parë plenar të Samitit të Frankofonisë i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit.

Në fjalimin e saj, presidentja e Kosovës theksoi se si anëtare e familjes së madhe 88-anëtarëshe të Frankofonisë, shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale, të cilat janë bërë të domosdoshme sidomos pas sfidave që na përcollën gjatë pandemisë.

Presidentja theksoi se vlerat e përgjithshme, siç janë solidariteti, diversiteti dhe barazia, të promovuara nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, mund të ndikojnë në krijimin e një qasjeje të përbashkët si përgjigje ndaj sfidave.

Osmani foli mbi digjitalizimin, si vektor i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm, duke u përqëndruar në ndikimin që ai ka në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe social. Ajo theksoi se Kosova përbën histori suksesi në zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative dhe të komunikimit dhe shtoi se Kosova po punon me këmbëngulje që ta reduktojë edhe më hendekun ndërmjet burrave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe zhvillimin teknologjik.

Related posts

BIK-u grumbullon mbi 123 mijë euro për të prekurit nga vërshimet në Mitrovicë e Skenderaj

rezart morina

BE kritikon TikTok për privatësinë e të dhënave

admin

Mijëra palestinezë që punojnë në Izrael dalin në grevë, nuk duan t’i kalojnë pagat në banka

admin