Pakistani ra dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një marrëveshje “stand-by” prej 3 miliardë dollarësh, transmeton Anadolu.
Shefi i Misionit të FMN-së në Pakistan, Nathan Porter njoftoi se FMN-ja dhe autoritetet pakistaneze ranë dakord për një marrëveshje të mbështetjes prej 3 miliardë dollarësh.
Porter theksoi se kjo marrëveshje bazohet në marrëveshjen e arritur me Pakistanin në vitin 2019.
Marrëveshja e gatishmërisë e arritur me FMN-në duhet të miratohet nga Bordi i Guvernatorëve të FMN-së në mes të korrikut. Borxhi prej 3 miliardë dollarësh që do t’i jepet në afat prej 9 muajsh është më e lartë se pritshmëria e Pakistanit.
Qeveria pakistaneze kishte shpresuar të lironte 2.5 miliardë dollarët e mbetur nga paketa e shpëtimit prej 6.5 miliardë dollarësh e rënë dakord në 2019.
Kryeministri pakistanez, Shahbaz Sharif në një deklaratë në Twitter është shprehur i kënaqur me realizimin e marrëveshjes. Ai tha se kjo marrëveshje do të forcojë rezervat valutore të Pakistanit, do të sigurojë stabilitetin ekonomik dhe do ta vendosë vendin në rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Me një popullsi prej mbi 230 milionë banorësh, borxhi kombëtar i Pakistanit është rreth 274 miliardë dollarë, që korrespondon me rreth 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo e bën vendin të prekshëm ndaj goditjeve ekonomike.