RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Palestinezët në Gaza luftojnë përballë urisë, mbijetojnë me ushqim kafshësh

palestinezet-ne-gaza-luftojne-perballe-urise,-mbijetojne-me-ushqim-kafshesh

Palestinezët në veri të Rripit të Gazës, ku ndihma humanitare nuk mund të hyjë për shkak të ndalimit të Izraelit, mbijetojnë duke bluar dhe ngrënë ushqim për kafshë. Përveçse luftojnë për jetën e tyre shkaku i sulmeve izraelite, palestinezët luftojnë edhe për t’i mbijetuar urisë dhe etjes. Ata janë në një enklavë të bllokuar ku nuk mund të hyjë asnjë ndihmë.

Qindra mijëra njerëz në Rripin verior të Gazës, luftojnë me urinë, ku ushqimet bazë janë zhdukur për shkak të bombardimeve izraelite si dhe bllokadave totale që kanë zgjatur për rreth katër muaj.

Njerëzit në veri të Gazës vuajnë nga sëmundjet që lidhen me kequshqyerjen. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, rreth 600.000 palestinezë në veri janë në rrezik të vdekjes për shkak të urisë dhe sëmundjeve, si dhe nga bombardimet izraelite.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) njoftoi në nëntor 2023 se të gjithë që jetonin në Rripin e Gazës ishin të ekspozuar ndaj “pasigurisë ushqimore” për shkak të bllokadës së vendosur nga Izraeli që nga 7 tetori. Si pjesë e një marrëveshjeje “pauzë humanitare” të arritur midis Hamasit dhe Izraelit, ndihma humanitare u lejuan të hynin në rajonet veriore për një javë, duke filluar nga 24 nëntori.

Pas pauzës humanitare në nëntor, administrata e Tel Avivit ndaloi gjithë ndihmën për Gazën veriore deri në fillim të janarit. Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), sasia e kufizuar e ndihmave humanitare që hyjnë në Rripin e Gazës nuk mund të përmbushë as shtatë për qind të nevojave të njerëzve.

Avatif al-Besyuni, një nga qindra mijëra palestinezët në Gazën veriore, tha se ata duhej të bluanin dhe të hanin ushqim për kafshë. “Ne jetojmë në kushte shumë të vështira. Përveç luftës, uria dhe të ftohtët po na vrasin gjithashtu”, tha Al-Besyuni.

Duke theksuar se nuk ka miell për të bërë as bukë në veri të Gazës, Besyuni shtoi: “Fëmijët nuk mund të gjejnë ushqim. Kështu që, na u desh të bluanim foragjere.”

Duke u shprehur se po luftojnë përballë urisë, ky palestinez u kërkoi vendeve arabe dhe islamike të bëjnë presion ndaj Izraelit. “Ndaloni luftën në Gaza, shpëtoni popullin e Gazës që po lufton me shkatërrimin dhe urinë”, shtoi Al-Besyuni.

Hasan Sheref, një banor i rajonit Tel Zater në Gazën veriore, tha se nuk ka fjalë për të përshkruar situatën aktuale në Rripin verior të Gazës, ku ushqimi ka mbaruar.

“Situata është vërtet tragjike, nuk ka asgjë për të ngrënë dhe gjithçka është e shkatërruar. Ndonjëherë kalojnë 48 orë pa ngrënë asgjë”, tha Sheref.

Ai shton se më të prekurit nga mungesa e ushqimit janë fëmijët, të cilët deri më tani as nuk e kanë ditur se çfarë do të thotë lufta dhe bllokada. “Ne ëndërrojmë për miell dhe bukë. Kjo është ëndrra jonë. Fytyrat e njerëzve në Gazën veriore kanë ndryshuar sepse janë dobësuar nga uria.

“Takoj shumë njerëz që nuk mund t’i njoh sepse ata kanë ndryshuar shumë,” tha Sheref, duke shtuar se në zonë ka të vdekur nga uria dhe të ftohtët.

Gruaja palestineze Umm Asad el-Ketri, e cila gatuan bukë në një shtëpi të shkatërruar nga bombardimet izraelite të kampit të refugjatëve Jabalia, tha se ata nuk kanë as kushtet minimale të jetesës.

“Kjo bukë është bërë nga ushqimi i shpendëve”, tha Ketri.

Ajo shtoi se buka është e fortë, por po mundohen ta zbusin dhe kështu të ushqejnë fëmijët.

Related posts

Shefi i diplomacisë palestineze sulmet e kolonëve izraelitë i quan “terrorizëm i organizuar shtetëror”

rezart morina

Zyrtarja e OKB-së thekson raportin e ekzekutimeve masive nga forcat izraelite

admin6

Kurti: E mbështesim Ukrainën deri në fitore

admin