Lideri i Kishës Katolike, Papa Françesku, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të punojë për t’i dhënë fund të gjitha konflikteve që po shkaktojnë gjakderdhje në tokë, raporton Anadolu.
Papa kryesoi meshën në sheshin e famshëm të Shën Pjetrit në Vatikan me rastin e Pashkëve.
Duke u uruar mirëseardhje besimtarëve të mbledhur në shesh pas meshës me automjetin e tij “Papamobile”, Papa Françesku mbajti fjalimin tradicional “Urbi et Orbi” (Romës dhe botës), në të cilin përcolli mesazhin e Pashkëve për çështjet botërore nga lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit.
Papa deklaroi se duhet të përparojnë në rrugën e paqes dhe vëllazërisë për të kapërcyer konfliktet dhe ndarjet dhe tha se janë të lumtur që shohin vendet që hapin dyert e tyre për emigrantët që ikin nga lufta dhe varfëria.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Papa Françesku tha: “Ndihmojeni popullin e dashur ukrainas dhe marshimin e tyre drejt paqes dhe lëshoni dritën e Pashkëve mbi popullin rus. Mundësoni të burgosurit të kthehen të sigurt te familjet e tyre”.
Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve i kërkoi “gjithë komunitetit ndërkombëtar të punojë për t’i dhënë fund të gjitha konflikteve, veçanërisht në Siri”.
Papa kujton të prekurit nga tërmetet e 6 shkurtit në Turqi
Në mesazhin e tij të Pashkëve, papa iu referua edhe tërmeteve të 6 shkurtit që goditën rajonet jugore të Turqisë.
“Mbështetini të gjithë të prekurit nga tërmeti i rëndë në Turqi dhe Siri. Le të lutemi për ata që kanë humbur familjen dhe miqtë e tyre dhe ata që janë të pastrehë. Le të gjejnë ngushëllim nga perëndia dhe të marrin ndihmë nga kombet e tjera”, tha papa.
“Jam thellësisht i shqetësuar për sulmet që kërcënojnë atmosferën e besimit dhe respektit të ndërsjellë të nevojshme për të rifilluar dialogun mes izraelitëve dhe palestinezëve”, shtoi më tej ai, duke iu referuar tensioneve të fundit në rajon.
Ai po ashtu u lut Libani të kapërcejë ndarjet në kërkim të stabilitetit dhe unitetit, duke theksuar rëndësinë që të rinjtë në Tunizi të mos humbasin shpresën dhe të punojnë për një të ardhme plot paqe dhe vëllazëri.
Papa theksoi nevojën që të mbështeten angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare për të adresuar problemet në Haiti dhe bëri thirrje për konsolidimin e proceseve të paqes në Etiopi dhe Sudanin e Jugut dhe për t’i dhënë fund dhunës në Republikën Demokratike të Kongos.
“Ndihmoni Mianmarin të ecë në shtigjet e paqes dhe ndriçoni zemrat e atyre që janë përgjegjës për gjetjen e drejtësisë për arakanezët (Rohingya) martirë”, deklaroi ai.
Kreu shpirtëror i katolikëve tha se të drejtat e njeriut duhet të respektohen dhe të ndalohen të gjitha format e skllavërisë.
Në fund të fjalës së tij, papa bekoi besimtarët e mbledhur në shesh dhe kremtuan Pashkët.