RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Parlamenti Evropian: Shqipëria dhe Mali i Zi synojnë përfundimin e negociatave në 2026-2027, duhet t’i mbështesim

parlamenti-evropian:-shqiperia-dhe-mali-i-zi-synojne-perfundimin-e-negociatave-ne-2026-2027,-duhet-t’i-mbeshtesim

Parlamenti Evropian theksoi të mërkurën se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur objektiva ambicioze për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) deri në vitin 2026 dhe 2027 respektivisht, dhe se BE duhet t’i mbështesë këto vende kur ambicia e tyre shoqërohet me reforma të prekshme, transmeton Anadolu.

Në një raport të miratuar, eurodeputetët kanë nënvizuar se zgjerimi i bllokut është një përgjigje strategjike ndaj realitetit gjeopolitik dhe investim jetik për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së, duke i bërë thirrje Këshillit që ta njohë këtë vrull dhe të heqë çdo pengesë që ekziston nga ana e BE-së.

Ata kërkuan gjithashtu hapjen e shpejtë të grupkapitujve të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë.

Eurodeputetët theksuan se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm, duke respektuar vlerat dhe parimet themelore të BE-së, përfshirë sundimin e ligjit, liritë demokratike, të drejtat e pakicave dhe luftën kundër korrupsionit.

Raporti nënvizon gjithashtu rëndësinë e monitorimit të reformave në vendet kandidate dhe të mbështetjes për shoqërinë civile pro BE-së, si dhe nevojën për financime adekuate para anëtarësimit dhe bashkëpunim më të thellë në infrastrukturë, siguri dhe kundër manipulimit të huaj të informacionit.

Raporti u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime, ndërsa raportuesi Petras Austrevicius tha se zgjerimi i BE-së duhet të shoqërohet me reforma të brendshme për të përmirësuar funksionimin e Bashkimit dhe proceset vendimmarrëse.

Related posts

Pas Norvegjisë, edhe dy vende të tjera njohin shtetin e pavarur palestinez!

admin

Zjarret e furishme pyjore në Kili marrin të paktën 99 jetë

Muhamet Ramadani

Polonia paralajmëron se Evropa ka hyrë në “epokën e paraluftës”

admin