RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pas SHBA-së, lëvizja studentore pro Palestinës zgjerohet në të gjithë botën

pas-shba-se,-levizja-studentore-pro-palestines-zgjerohet-ne-te-gjithe-boten

Lëvizja studentore kundër operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë të Izraelit në Rripin e Gazës, si hakmarrje për sulmin e paprecedentë të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, vazhdon dhe po rritet ndërkombëtarisht: nga kampuset amerikane është përhapur në Paris, Lozanë, Berlin, Montreal, Meksikë, madje edhe në Sidnei.

SHBA

Që nga 17 prilli, një valë protestash mbi Rripin e Gazës ka ndodhur në shumë kampuse amerikane, në rreth dyzet institucione të arsimit të lartë, nga Lindja në Perëndim, me shumë paralele me protestat kundër Luftës së Vietnamit.

Në total, sipas mediave amerikane janë arrestuar më shumë se 2000 persona.

Një demonstratë shpërtheu dje të shtunën në Universitetin e Virxhinias, ku policia çmontoi tendat, siç është regjistruar nga një video e publikuar nga gazeta studentore Cavalier Daily.

Ndryshe nga institucionet e tjera, Universiteti Brown, në Rhode Island, njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me protestuesit.

Presidenti amerikan Joe Biden, i cili prej ditësh heshti për këtë lëvizje studentore, deklaroi të enjten se “rendi duhet të mbizotërojë”.

Francë

Policia largoi dje demonstruesit pro-palestinezë, të cilët kishin pushtuar shkollën prestigjioze Paris Sciences Po, ku studiojnë 5,000 deri në 6,000 studentë.

Protestat e studentëve mbeten të kufizuara në Sciences Po në Paris, kampuset rajonale (Lille, Havre, Dijon, Rennes, Poitiers) dhe institutin e shkencave politike (IEP), tani për tani ato nuk janë përhapur në fakultete të tjera.

Gjermani

Policia ndërhyri dje për të larguar, në disa raste “me dhunë” demonstruesit pro-palestinezë të mbledhur përpara Universitetit Humboldt të Berlinit, në qendër të kryeqytetit gjerman.

Kryebashkiaku i Berlinit Kai Wegner (CDU) kritikoi demonstratën në Humboldt, duke nënvizuar përmes X se ai nuk dëshiron të shohë “situata si ato në SHBA dhe Francë”.

Kanada

Lëvizja studentore pro-palestineze është përhapur në shumë qytete përfshirë Vankuverin, Otavën, Toronton dhe Montrealin.

Kampi i parë i ngritur dhe më i madhi është ai në Universitetin McGill, i cili u hap më 27 prill. Studentët janë përpjekur ta mbështesin ditët e fundit, teksa rrezikohet ndërhyrja e policisë.

Ata kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të vazhduar protestat për aq kohë sa është e nevojshme, derisa McGill të ndërpresë të gjitha lidhjet akademike dhe financiare me Izraelin.

Megjithatë, policia, e cila ka bërë të qartë se preferon një zgjidhje “paqësore” të problemit, nuk ka ndërhyrë deri më tani.

Australi

Në Universitetin e Sidneit, qindra protestues pro-palestinezë dhe pro-izraelitë u përleshën të premten.

Protestuesit pro-palestinezë kanë ngritur një tendë përpara ndërtesës gotike të universitetit. Ashtu si homologët e tyre në SHBA, ata po i kërkojnë universitetit të Sidneit të ndërpresë lidhjet me institucionet izraelite dhe të mos pranojë donacione nga industritë e armëve.

Irlanda

Dhjetra studentë në Kolegjin prestigjioz Trinity në Dublin ngritën tenda në pjesë të ndryshme të kampusit.

Protestuesit, të cilët e kanë quajtur tubimin një “kamp solidariteti palestinez”, kanë kërkuar që Kolegji Trinity të ndërpresë lidhjet me Izraelin.

Meksikë

Dhjetëra studentë nga Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës (UNAM) ngritën një kamp në kryeqytet në mbështetje të palestinezëve, duke brohoritur slogane si “Rroftë Palestina e lirë”.

Ata kërkuan që qeveria meksikane të ndërpresë lidhjet me Izraelin.

Zvicra

Rreth njëqind studentë që nga mbrëmja e së enjtes janë mbledhur përpara Universitetit të Lozanës (UNIL), duke kërkuar bojkot akademik të institucioneve izraelite dhe një armëpushim të menjëhershëm.

Protesta pritet të zgjasë të paktën nesër të hënën. Të shtunën, qindra njerëz demonstruan në mbështetje të palestinezëve, sipas agjencisë zvicerane të lajmeve Keystone-SDA. /abcnews

Related posts

UNICEF: ​ Rreth 19 mijë fëmijë kanë mbetur të vetëm në Gaza

admin6

Mali i kërkon OKB-së të tërheqë misionin e saj paqeruajtës “pa vonesë” – VIDEO

admin

Myftiu Tërnava mori pjesë në inaugurimin e projektit për qëndrimin ditor të të moshuarve në Vushtrri

rezart morina