Në juglindje të Turqisë, pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një seri zjarresh që kanë kapluar disa fshatra.
Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se numri i viktimave përfshin pesë vdekje dhe 44 persona të plagosur, nga të cilët dhjetë janë në gjendje të rëndë.
Zjarret kanë filluar mes qyteteve të Dijarbakirit dhe Mardinit dhe kanë shkaktuar panik në zonë.
Autoritetet lokale raportojnë se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të fuqishme, duke përfshirë në flakë pesë fshatra.
Ministri i Brendshëm, Ali Yerikaya, ka konfirmuar se tre banorë të Dijarbakirit dhe dy të Mardinit janë ndër viktimat e zjarreve të shkaktuara nga kushte të rënda atmosferike.
Autoritetet kanë dërguar katër ekipe të emergjencave dhe 35 autoambulanca në vendngjarje.
Ndërkohë, zjarrfikësit në veriperëndim të Turqisë janë angazhuar për të ndaluar flakët pranë qytetit Ajvaçik në provincën Çanakala, një zonë tjetër që po ballafaqohet me zjarre të shumta për shkak të kushteve të nxehta dhe erërave të fuqishme gjatë javëve të fundit.
Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale tregojnë shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të minimizuar dëmet e mundshme të tjera.
The post Pesë të vdekur e dhjetëra të plagosur nga zjarret në Turqi first appeared on Radio Televizioni Iliria.