Zëvendësministri i brendshëm i Polonisë, Maciej Wasik tha se në kufirin e tyre me Bjellorusinë do të dërgojnë 2 mijë ushtarë shtesë, të cilët janë dyfishi i shifrës së njoftuar më parë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve të Polonisë, PAP, Wasik shprehu se vendimi për dërgimin e ushtarëve është marrë në Këshillin e Ministrave.
Rojet Kufitare të Polonisë në fillim të javës kërkuan nga ministria e mbrojtjes dërgimin e një mijë ushtarëve shtesë në kufirin me Bjellorusinë.
Përforcimi u miratua nga ministri i mbrojtjes Mariusz Blaszczak, njoftoi Wasik. “Ky përforcim nuk do të jetë një mijë por dy mijë. Ky vendim u mor nga ministri Blaszczak”, tha ai.
Sipas Wasik ushtarët do të mbërrijnë në zonat e detyrës brenda dy javëve të ardhshme për të mbështetur rojet kufitare në Podlaskie ve Lubelskie që ndodhen në kufi me Bjellorusinë.
Kohët fundit në afërsi të kufirit të Polonisë u vërejtën anëtarë të grupit mercenar Wagner, ndërsa edhe kryeministri Mateusz Morawiecki tha se ky zhvillim synon destabilizimin e situatës në krahun lindor të NATO-s.
Sipas medias së Polonisë, në kufirin e vendit me Bjellorusinë aktualisht krahas 2 mijë ushtarëve ushtrojnë detyrën edhe qindra policë dhe roje kufitare.