RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti algjerian viziton Rusinë për bisedime bashkëpunimi

presidenti-algjerian-viziton-rusine-per-bisedime-bashkepunimi

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, ka filluar një vizitë 3-ditore në Rusi për bisedime mbi nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, transmeton Anadolu.

Presidenca algjeriane njoftoi se vizita vjen pas një ftese nga presidenti rus, Vladimir Putin, për bisedime mbi forcimin e bashkëpunimit midis Algjerisë dhe Rusisë.

Siç raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘TASS’, bisedimet midis dy presidentëve do të fokusohen në partneritetin strategjik midis Algjerisë dhe Rusisë, si dhe në një mori çështjesh ndërkombëtare, përfshirë zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Sahelit.

Diskutimet gjithashtu do të fokusohen në bashkëpunimin energjetik në kuadër të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC+).

Gjatë vizitës, Tebboune do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në qytetin rus Shën Petersburg, që do të mbahet në datat 14-17 qershor.

Organizuar çdo vit që nga viti 1997, Forumi i Shën Petersburgut diskuton çështjet kryesore ekonomike me të cilat përballet Rusia, tregjet në zhvillim dhe bota.

Vizita e presidentit algjerian fillimisht ishte planifikuar për në muajin maj, por nuk u zhvillua për arsye të pa njohura.

Algjeria, sipas shifrave zyrtare të vendit, është partneri i dytë tregtar i Rusisë në Afrikë, me një vëllim këmbimi prej afër 3 miliardë dollarësh në vitin 2021.

Raportet ndërkombëtare tregojnë se Algjeria është importuesi i tretë i armëve ruse, ndërsa Moska konsiderohet financuesi i parë i ushtrisë algjeriane me armë dhe sisteme ushtarake me më shumë se 50 për qind.

Related posts

Zbulohen mbi 70 mijë foto të reja të krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Asadit

admin

Beogradi goditet nga një stuhi breshri – VIDEO

Muhamet Ramadani

Putin: Rusia e gatshme që nesër të lëshojë gazsjellësin Nord Stream II nëse Evropa jep dritë jeshile

admin