RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti libanez: Marrëveshja SHBA-Iran njeh rëndësinë e Libanit për stabilitetin rajonal

presidenti-libanez:-marreveshja-shba-iran-njeh-rendesine-e-libanit-per-stabilitetin-rajonal

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun ka deklaruar se memorandumi i mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Iranit njeh se stabiliteti dhe siguria e Libanit janë “pjesë përbërëse” e çdo përpjekjeje serioze për konsolidimin e stabilitetit në rajon, transmeton Anadolu.

Aoun në një deklaratë tha se kushtet e memorandumit “konfirmojnë ndalimin e veprimeve ushtarake dhe përshkallëzimit në rajon, përfshirë Libanin”.

“Memorandumi përfshiu respektimin e rrethanave të veçanta të Libanit dhe njohjen se stabiliteti dhe siguria e Libanit janë pjesë përbërëse e çdo përpjekjeje serioze për konsolidimin e stabilitetit në rajon, pasi populli libanez ka përballuar sakrifica dhe barrë të mëdha gjatë periudhës së kaluar”, tha ai.

“Populli libanez, veçanërisht banorët e zonave që iu nënshtruan sulmeve dhe shkatërrimeve dhe që humbën të afërmit, burimet e jetesës dhe shtëpitë e tyre, tani presin që këto mirëkuptime të shndërrohen në hapa praktik që do t’i japin fund përfundimisht ciklit të dhunës dhe do të vendosin një fazë stabiliteti, sigurie, rimëkëmbjeje dhe rindërtimi”, shtoi ai.

Aoun falënderoi të gjitha vendet dhe palët që kontribuuan në arritjen e marrëveshjes kornizë si dhe “të gjithë ata që punuan për përfshirjen e Libanit në përpjekjet që synojnë t’i japin fund përshkallëzimit dhe të ndalin veprimet ushtarake”.

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit udhëhoqi ndërmjetësimin midis Washingtonit dhe Teheranit, sot herët njoftoi se SHBA-ja dhe Irani kanë arritur marrëveshje pas negociatave intensive, ku të dyja palët shpallën ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Marrëveshja pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër.

Ushtria izraelite ka ndërmarrë një fushatë vdekjeprurëse bombardimesh në Liban që nga një sulm ndërkufitar i Hezbollahut më 2 mars, sipas zyrtarëve libanezë duke vrarë afër 3.800 persona, duke plagosur 11.700 të tjerë dhe duke zhvendosur më shumë se 1.5 milionë njerëz.

Izraeli vazhdon të pushtojë zona në jug të Libanit, përfshirë territore të mbajtura prej dekadash dhe të tjera ku hyri gjatë luftës së mëparshme në periudhën 2023-2024. Gjatë përshkallëzimit aktual, forcat izraelite kanë avancuar më shumë se 10 kilometra përtej kufirit, duke shënuar depërtimin e tyre më të thellë në vite.

Related posts

Një përmbledhje e zhvillimeve të fundit në Pa’lestinë, dita 332 e lu’ftës

admin

Trump mbërrin në Zvicër mes tensioneve për Grenlandën

Muhamet Ramadani

Milanoviq për bashkëpunimin e mundshëm Kroaci-Izrael: “Ju betohem, kjo nuk do të ndodhë”

Kushtrim Guraj