Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas paralajmëroi kundër katastrofës humanitare që do të ndodhë për shkak të sulmeve izraelite dhe deklaroi se dëbimi i atyre në Gaza do të jetë “Nakba e dytë” (Fatkeqësia e Madhe), transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, presidenti Abbas u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në kryeqytetin e Jordanisë, Aman. Gjatë takimit, Abbas deklaroi se sulmet e Izraelit kundër popullit palestinez duhet të ndalen sa më parë duke shtuar se këto sulme “do të jenë Nakba e dytë”.
Ai bëri thirrje për hapjen e korridoreve të ndihmës humanitare në Gaza, shpërndarjen e ndihmës mjekësore dhe sigurimin e energjisë elektrike, ujit dhe karburantit. “Ne paralajmërojmë kundër një fatkeqësie humanitare pasi i vetmi termocentral në Gaza nuk mund të ofrojë shërbime dhe të gjitha mjetet humanitare janë ndalur”, tha Abbas.
“Terrori i kolonialistëve kundër popullit tonë në kampet e refugjatëve palestinezë, fshatrat dhe qytetet në Bregun Perëndimor duhet të përfundojë. Bastisjet e kolonëve radikalë hebrenj në xhaminë Al-Aksa, që shkakton përshkallëzimin e tensioneve, duhet të marrin fund”, tha Abbas.
Duke theksuar se ai është kundër vrasjes ose ndëshkimit të civilëve nga të dyja palët, Abbas bëri thirrje për lirimin e civilëve dhe pengjeve. Abbas tha se paqja dhe siguria do të arrihen duke i dhënë popullit palestinez të drejtat e tij legjitime dhe se duhet të arrihet zgjidhje politike dhe të zbatohet zgjidhja me dy shtete.
Çfarë është Nakba?
Palestinezët e përkujtojnë 15 majin çdo vit si “Nakba” (Fatkeqësia e Madhe), sepse Izraeli shpalli pavarësinë në tokat e pushtuara palestineze më 14 maj 1948 dhe i nënshtroi palestinezët ndaj migrimit të detyruar.