Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbërriti në kryeqytetin amerikan Washington për takime me presidentin Joe Biden dhe për të folur në një sesion të përbashkët të Kongresit, raporton Anadolu Agency (AA).
Udhëtimi i tij në SHBA është i pari jashtë vendit që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës dhjetë muaj më parë.
Ai pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe të mbajë një takim me dyer të mbyllura me Biden-in dhe zyrtarët e tij të lartë, duke përfshirë nënpresidenten Kamala Harris, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe anëtarë të tjerë të kabinetit.
Zelenskyy dhe Biden më pas do të mbajnë një konferencë shtypi përpara se lideri ukrainas të shkojë në Capitol Hill për të folur në një seancë të përbashkët të Kongresit.
Gjatë takimit të tyre me dyer të mbyllura, Biden dhe Zelenskyy “do të kenë një diskutim të thelluar strategjik në lidhje me luftën, mbi aftësitë dhe trajnimin që SHBA dhe aleatët tanë do të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës”, si dhe do të diskutohet ndihma e sektorit ekonomik dhe energjetik dhe ndihma humanitare, u tha gazetarëve të martën një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Zyrtari tha se Biden do të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila do të përfshijë një bateri raketash Patriot, sistem për të cilin Rusia e ka paralajmëruar Washington-in që të mos ia ofrojë Kievit.
“Ne do të kemi gjithashtu mundësinë së bashku me Kongresin për të filluar punën për të miratuar një paketë të konsiderueshme financimi shtesë për Ukrainën për vitin 2023”, tha zyrtari, duke shtuar se paketa dypartiake pritet të përfshijë më shumë se 40 miliardë dollarë financime për Ukrainën.