Shqiptarët përballë një Mali të Zi që kërkon Evropën, por bart ende hijet e së kaluarës
Kryeministri malazez Milojko Spajiç, bëri dje bujë kur deklaroi se Podgorica disponon “informacione serioze operative të sigurisë”, se mbyllja e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian do të shoqërohet me veprimtari të koordinuara hibride.
Sipas tij, në këto përpjekje do të përfshihen zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit dhe do të ketë mbështetje nga aktorë politikë e një pjesë e medias në Mal të Zi.
Spajiç nuk i përmendi publikisht shtetet. Por gazeta malazeze “Vijesti”, duke iu referuar disa burimeve, shkruan se bëhet fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë.
Pretendimi është i rëndë, ndërsa deri tani nuk janë bërë publike prova që ta vërtetojnë përfshirjen e Tiranës apo Beogradit. Spajiç thotë se synimi i këtyre veprimeve është destabilizimi i Malit të Zi dhe pengimi i rrugës së tij europiane.
Por paradoksi është i dukshëm: një vend që pretendon të jetë në fazën përfundimtare të integrimit europian vazhdon të jetë i mbërthyer nga tensionet identitare, etnike dhe politike të rajonit.
Kjo bëhet edhe më e dukshme kur shihet nga këndvështrimi shqiptar. Në gusht, zv.kryeministri nga radhët e shqiptarëve i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj u përplas me Ministren e Arsimit për emërimin e drejtoreshës së shkollës së mesme në Ulqin.
Gjeloshaj e quajti emërimin e një drejtoreshe që nuk zotëron shqipen në nivelin e nevojshëm një “provokim institucional” dhe “shprehje të albanofobisë”.
Pak ditë më vonë, ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse drejtoresha nuk do të provonte publikisht se e zotëronte shqipen në nivelin B2.
Por problemi nuk është vetëm një emërim në një shkollë, por nëse një shtet që kërkon të bëhet pjesë e BE-së e trajton realisht barazinë e komuniteteve si standard evropian apo vazhdon ta shohë atë përmes lenteve të shumicës politike dhe identitare.
Në nëntor 2025, Gjeloshaj, në emër të Forumit Shqiptar, u dërgoi letër ambasadorëve të 27 vendeve të BE-së, Delegacionit të BE-së në Mal të Zi dhe vendeve partnere, duke kërkuar përfaqësim të garantuar për shqiptarët në Parlament.
Kërkesa ishte për të paktën katër mandate të garantuara, duke argumentuar se shqiptarët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë, por përfaqësimi i tyre mbetet i varur nga formula zgjedhore dhe fragmentimi politik.
Krahasimi me Kosovën është domethënës. Kushtetuta e Kosovës garanton 20 nga 120 vendet e Kuvendit për komunitetet e pakicave etnike, ndërsa në Mal të Zi përfaqësimi shqiptar nuk është i garantuar në të njëjtën mënyrë.
Këtu lind pyetja e vërtetë: pse një vend që është në dyert e BE-së ende e ka kaq të vështirë të shkëputet nga hijet e së kaluarës? Sepse problemi nuk është vetëm Podgorica kundrejt Beogradit.
Është edhe mënyra se si pjesa politike serbo-malazeze, ku bën pjesë edhe Spajiç, e percepton shtetin, identitetin dhe pakicat. Mali i Zi mund të mbyllë kapituj me Brukselin, por integrimi evropian nuk matet vetëm me kapitujt e negociatave.
Ai matet edhe me mënyrën se si trajtohet Ulqini, gjuha shqipe dhe e drejta e shqiptarëve për të pasur një zë të sigurt në institucionet e shtetit.
Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi. Podgorica kërkon të bindë Evropën se po largohet nga Ballkani i vjetër, ndërsa shqiptarët e saj duhet ende t’i kujtojnë se si funksionon Evropa. tesheshi

