RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Qëndroni me njëri-tjetrin”, heroi global Ahmed bën thirrje për përqafimin e njerëzimit pas të shtënave në Australi

“qendroni-me-njeri-tjetrin”,-heroi-global-ahmed-ben-thirrje-per-perqafimin-e-njerezimit-pas-te-shtenave-ne-australi

Heroi global Ahmed Al Ahmed ka bërë thirrje për t’i “harruar të gjitha gjërat e këqija” dhe për përqafimin e njerëzimit pas të shtënave në plazhin Bondi në Australi, raporton Anadolu.

“Qëndroni me njëri-tjetrin, të gjithë njerëzit”, tha Ahmed në një mesazh për njerëzit anembanë botës që i dhuruan rreth 2,5 milionë dollarë australianë (1,65 milion dollarë), duke shtuar, “Dhe harroni gjithçka të keqe (nga e kaluara)”.

Ahmed bëri bujë globale dhe fitoi zemrat e njerëzve në mbarë botën për guximin e tij pasi u hodh mbi njërin nga dy sulmuesit të dielën e kaluar përgjatë plazhit Bondi në Sydney, qytet më i madh i Australisë për nga popullsia dhe kryeqytet i Uellsit të Ri Jugor.

15 persona u vranë në sulm, ndërsa njëri nga dy sulmuesit u qëllua për vdekje dhe tjetri është në gjendje kritike dhe po trajtohet në spital.

Veprimi i Ahmedit u përshëndet për shpëtimin e jetëve.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, e shpalli Ahmedin e lindur në Siri “më të mirin për vendin tonë”.

Ahmed, i cili u shpërngul në Australi në vitin 2006 dhe është baba i dy vajzave, u qëllua katër deri në pesë herë në shpatullën e majtë dhe po merr trajtim në Spitalin St. George në Sydney.

Të enjten, influencuesi kanadez i rrjeteve sociale, Zachery Dereniowski, i dorëzoi Ahmedit një çek prej 1,65 milion dollarësh nga donacionet publike të mbledhura përmes GoFundMe, sipas një videoje të takimit të tyre të shpërndarë në Instagram.

“(A) e meritoj këtë?”, e pyeti Ahmed Dereniowskin, i njohur gjithashtu si MDMotivator. “Çdo qindarkë”, theksoi Dereniowski.

Rreth 43 mijë persona bënë donacione për të mbështetur Ahmedin dhe familjen e tij.

“Vazhdoni të shpëtoni jetë”, tha Ahmed në mesazhin e tij.

“Kur unë shpëtova njerëzit, e bëra nga zemra”, tha Ahmed.

“Të gjithë ishin të lumtur. Ata e meritojnë të shijojnë (gjërat). Dhe është e drejta e tyre”, shtoi ai

Australia është “vendi më i mirë në botë”, tha 43-vjeçari Ahmed.

Sipas GoFundMe, faqja e donacioneve për Ahmedin pa “një shpërthim dashurie, pas veprimeve të tij heroike në plazhin Bondi”.

“Ti je një hero absolut”, i tha Dereniowski Ahmedit, i cili po shërohej në shtratin e spitalit.

Related posts

I burgosuri në Britani në grevë urie prej 42 ditësh: Kam frikë nga vdekja, por do të vazhdoj

Muhamet Ramadani

Policia interviston 14 persona të dyshuar për falsifikim votash në Kllokot

Muhamet Ramadani

“Nuk duam të heshtim”, nëntë pjesëmarrës të Eurovizionit bënë thirrje për armëpushim në Gaza

Muhamet Ramadani