RTV AHIRETI
FeaturedLajmeLajmetMaqedoni

Qeveria e re maqedonase drejt formimit, kryetari i Kuvendit pritet të jetë shqiptar

qeveria-e-re-maqedonase-drejt-formimit,-kryetari-i-kuvendit-pritet-te-jete-shqiptar

VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i katër partive politike shqiptare, VLEN, thonë se kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por marrëveshja nuk do të bëhet e ditur pa mbylljen e bisedimeve edhe me lëvizjen ZNAM, një parti që pritet gjithashtu të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.

Bazuar në prononcimet e zyrtarëve të VMRO DPMNE-së, marrëveshja do të bëhet e ditur pas konstituimit të Kuvendit të ri, më 28 maj. Pas mbledhjes së Kuvendit, kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski, në afat prej 10 ditësh duhet të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re nga presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova.

“Bisedimet janë në një fazë të avancuar, por ende nuk kemi marrëveshje finale dhe derisa nuk e kemi një gjë të tillë, nuk do të mund të japim detaje. Bisedimet po zhvillohen për të gjitha çështjet, ndarjen e resorëve, por mbi të gjitha, për kuadrot që duhet të jenë të pranueshëm dhe të gatshëm të punojnë mbi parimet bazë të punës së Qeverisë së re”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski, shkruan Rel.

Detaje nuk kanë dhënë as partitë politike shqiptare duke ia lënë këtë kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se partitë shqiptare që tani janë në opozitë, në Qeverinë e re do të drejtojnë gjashtë ministri; shëndetësinë, ekonominë, ambientin jetësor, sistemin politik, punën dhe politikën sociale, një ministër parësor, si dhe një zëvendëskryeministër. Pjesë e bisedimeve është edhe Sekretariati për Çështjeve Evropiane.

Partitë shqiptare në Qeverinë e re, siç bëhet e ditur, do të kenë edhe gjashtë zëvendësministra në Ministrinë e Arsimit, atë të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes.

Arben Taravari nga koalicioni VLEN nuk i ka hedhur poshtë këto të dhëna që tashmë përmenden në media dhe në opinionin e gjerë.

“Mund të them se 95 për qind e zgjidhjeve kadrovike, për të cilat kemi rënë dakord tanimë, janë rrotulluar (raportuar) nëpër media. Besoj se këtyre ditëve do të bëhen publike pasi ajo [VMRO DPMNE-ja] synon të ketë mbi 80 vota në shumicën e re qeveritare, kështu që fjala përfundimtare është te mandatari i ardhshëm”, ka thënë Taravari.

Në rast se bisedimet mbyllen me sukses, këto tri subjekte politike do të kenë një shumicë parlamentare prej 78 deputetësh, por VMRO DPMNE-ja synon numrin prej 83 deputetëve apo dy të tretat për t’i miratuar ligjet që kërkojnë këtë shumicë të votave.

Partitë shqiptare, bazuar në prononcimet e tyre, do të udhëheqin edhe me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut që pritet të konstituohet të martën, më 28 maj.

Në këtë pozitë pritet të emërohet Afrim Gashi nga parti Alternativa, që është pjesë e koalicionit VLEN.

Related posts

Erdoğan: Turqia do të thajë kënetën terroriste në veri të Sirisë dhe Irakut

admin

Sekuestrohen 10 mijë doza ekstazi në Tiranë, arrestohen pesë persona, mes tyre dy shtetas nga Kosova

rezart morina

Ministrat gjermanë do të vizitojnë rajonin e goditur nga tërmeti në Turqinë jugore

rezart morina