RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Qeveria miraton marrëveshjen me Bosnjën e Hercegovinën për lëvizje të lirë vetëm me letërnjoftime

qeveria-miraton-marreveshjen-me-bosnjen-e-hercegovinen-per-levizje-te-lire-vetem-me-leternjoftime

Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar marrëveshjen ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet këtyre vendeve.

Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh përmes kësaj marrëveshje do të përfitojnë qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë të letërnjoftimeve, qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin duke përdorur vetëm njërin letërnjoftim të njërit prej shteteve sipas marrëveshjes në fuqi”, u shpreh ai.

Pas ratifikimit të dy shteteve, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës do të lëvizin vetëm me letërnjoftim.

Po ashtu, u miratuan edhe dy marrëveshjet tjera atë për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Ndryshe, liderët nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, më 3 nëntor të vitit të kaluar nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në këtë samit morën pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq – si dhe ata të BE-së.

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjeve një “sukses jashtëzakonisht i madh për qytetarët e rajonit”, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

“Ky samit tregon se dëshira e përbashkët për të arritur marrëveshje është shumë e madhe, andaj Gjermania e përkrah fuqishëm këtë proces”, u shpreh Scholz në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve.

Ai shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ishte shprehur Scholz.

Related posts

Trump nis fushatën për zgjedhjet presidenciale 2024

admin

“Turqia pengoi përpjekjen e Greqisë për të zhdukur varrezën e periudhës osmane në Thrakinë Perëndimore”

admin

Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë, familja Fejzullahu ia jep një muaj besë familjes së dorasit

Muhamet Ramadani