Çmimi i bukës ka shkuar deri në 60 centë në disa furra në Prishtinë dhe në disa komuna të tjera në vend. Për këtë shtrenjtim, ankohen qytetarët, derisa furrtarët arsyetojnë rritjen e çmimeve për produktet e bukës. Por nga Shoqata e Mullisëve vlerësojnë se ky çmim nuk ka pasur nevojë të rritet.
KosovaPress ka siguruar çmimet për gjysmë kilogrami bukë në disa furra në kryeqytet ku shihet se çmimet janë ngritur për 100 për qind në vit, krahasuar vitin 2024 me atë të vitit 2010. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për dhjetë vitet fundit, nga 31 centë sa ishte një bukë gjysmë kilogramësh në vitin 2010, në vitin 2022 ky çmim mesatar ka arrit në 49 centë. ASK nuk ka publikuar çmimet mestarë të bukës për vitin 2023 dhe 2024.
Derisa qytetarët kërkojnë nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë të shtojnë numrin e inspektorateve në mënyrë që të monitorojnë çmimet në terren, thonë se vështirë po arrin të ja dalin me këto çmime. Qytetarja, Zarife Sopjani, derisa vlerëson se duhet të lirohet buka, thotë se çdo ditë e më tepër po u rendohet jeta me çmime të larta.
“Shtrenjtë është boll, por çfarë të bëjmë, por duhet të ja dalim diqysh…ish dashtë të lirohet, se me një rrogë çfarë të bëjmë, jo veç buka por duhet gjitha nga pak të lirohen që edhe ne të mund të ja dalim.. Çdo ditë blej bukë, jemi shtatë anëtar dhe çdo ditë rreth gjashtë bukë i blej”, thotë Sopjani.
Se çmimi i bukës është shtrenjtë dhe duhet të lirohet e po ashtu të shtohen kontrollet e inspektoratit në furra, e thotë edhe qytetari, Hasan Abazi.
Ai për KosovaPress thekson se duhet të ketë ulje të çmimit të bukës, jo të ketë rritje pa arsye.
“Duhet të shkohet në mes miellit dhe bukës, mirëpo është edhe rryma elektrike tash me e shtrenjte, dhe sigurisht prodhuesit e kanë gjetur aty shkakun…por duhet të ulen çmimet, mirëpo sigurisht se inspektorati duhet t’i ketë këto për baza”, thotë Abazi.
Edhe një qytetar tjetër, i cili ka dashur të mbes anonim është ankuar për çmimin e bukës.
“Shtrenjtë, na mbyten krejt…Qysh s’duhet të lirohet buka, duhet patjetër…Veç të lirohet duhet”, thotë ai.
Se ka rritje të çmimit të bukës në disa furra në vend, e ka pohuar edhe menaxheri i një furre në kryeqytet, Safet Zeneli, i cili ka theksuar se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e rritjes së pagave të punëtorëve. Po ashtu sipas tij, liberalizimi i vizave ka ndikuar që të kenë probleme me mungesë të punëtorëve.
“Jemi të obliguar për shkak problemeve me punëtorë t’i ngritim edhe çmimet me një për qindje të vogël, mirëpo nuk kemi rrugëdalje… Kemi nevojë për punëtorë, për momentin i kemi pesë pozita të hapura tash”, thotë Zeneli.
Në anën tjetër, Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullisëve ka deklaruar për KosovaPress se çmimi i grurit nuk ka ndonjë lëvizje të madhe, për çfarë thotë se furrtarët nuk kanë pasur arsye të rrisin çmimin e bukës.
“Bazuar në lëvizjet të popullatës tonë për shkak kushteve të ndryshme të punësimit, që janë larguar nga vendi jonë, dhe numri i popullatës në përgjithësi ka rënë
përgjithësi ka rënë, edhe sasia e konsumit të bukës dhe miellit në përgjithësi bie…Kështu, çmimi i grurit në nivel të vendit tonë, por edhe në evropian dhe botërore nuk ka ndonjë lëvizje të madhe, lëvizjet tejet të vogla, ose duke u shtrenjtuar ose liruar kanë qenë, dhe arsyeje nuk ka pas dhe nevojë sa i përket çmimit të miellit që të shtrenjtohet…buka”, thotë ai.
Kryetari i organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku derisa thotë se nuk ka arsyeje të rritet çmimi i bukës, shton se me këtë ngritje është duke u varfëruar gjepi i qytetarëve. Ai ka kërkuar nga qeveria që të marrë masa të menjëhershme në këtë drejtim.
“Natyrisht, nëse një familje mesatare rreth gjashtë anëtarëshe ushqehet me rreth pesë bukë në ditë, nëse i mjaftojnë, atëherë nëse 20 për qindësishi ‘luan në këto lojëra të furrtarëve dhe inspeksioneve’, del që një bukë në ditë na mungon çdo ditë, d.m.th në 30 do të na mungojnë 30 ditë, dhe për një muaj i bie 18 euro. Dhe për një xhep të një familje me standard të ulët me ndihma sociale, ose pension, 18 euro është rreth një e pesta e të ardhurave, dhe me këto shifra qeveria dhe MINT duhet të brengosen. Me këto mashtrime po abuzohet me gjepin e shtresës më të varfër të qytetarit konsumator”, tha ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës një bukë 500 gramësh nga 31 centë sa ka kushtuar në vitin 2010, në vitin 2011 është rritur në 0.40 centë, në vitin 2012 ka shënuar rënie dhe çmimi ishte 0.39 centë, në vitin 2013 çmimi i bukës ishte 0.37 centë, në vitin 2014 çmimi i bukës ishte 0.36 centë, në vitin 2015 ishte 0.33 centë, rënie të çmimit të bukës pati edhe në vitin 2016, ku një bukë kishte çmimin 0.29 centë. Po ashtu sipas ASK-së në vitin 2017 çmimi i bukës ishte 0.28 centë, në vitin 2018 çmimi i bukës ishte 0.29 centë, në 2019 ishte 0.35 centë, në 2020 po ashtu 0.35 centë, në 2021 çmimi i bukës u rrit në 0.37 centë, ndërsa rritje e çmimit të bukës është shënuar edhe në vitin 2022, ku çmimi i bukës ka shkuar në 0.49 centë. Derisa për vitin 2023 dhe 2024 nuk ka të dhëna për çmimin mesatar të bukës, ndërkaq KosovaPress ka hasur në disa furra me çmimin e bukës deri në 60 centë për këtë vit, për një bukë 500 gramë.