RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Radikalizimi, kurthi që duhet të shmanget në një revoltë legjitime!

radikalizimi,-kurthi-qe-duhet-te-shmanget-ne-nje-revolte-legjitime!

Kujdes! Ka ca sjellje që distancojnë elektoratin gri dhe të moderuarit

Ngjarja me deputeten socialiste Iris Luarasi, e cila u përball me një sulm verbal në ambientet e një qendre tregtare, nuk mund të shkëputet nga klima e rënduar politike në vend.

Pas saj qëndron një pakënaqësi reale e shumë qytetarëve ndaj mënyrës së qeverisjes, mungesës së transparencës, akuzave për korrupsion e klientelizëm, problemeve të institucioneve dhe arrogancës që shpesh perceptohet në komunikimin e pushtetit.

Kritika ndaj deputetëve, ministrave apo mbështetësve mediatikë të qeverisë është jo vetëm legjitime, por e domosdoshme në një demokraci.

Sa më e madhe përgjegjësia publike e një figure, aq më e madhe duhet të jetë gatishmëria e saj për t’u përballur me kundërshtimin. Por ekziston një kufi që protesta dhe revolta qytetare nuk duhet ta humbin.

Të kundërshtosh një deputet, ta kritikosh ashpër apo t’i kërkosh llogari është pjesë e demokracisë. Ta ndjekësh në një hapësirë publike për ta poshtëruar apo intimiduar, e zhvendos debatin nga përgjegjësia politike te mënyra e ushtrimit të kundërshtimit.

Dhe pikërisht këtu shfaqet efekti bumerang. Në vend që të flitet për problemet e qeverisjes, vëmendja përqendrohet te incidenti.

Në vend që pushteti të përballet me kritikat ndaj tij, fiton mundësinë të paraqitet si pala e sulmuar. Ndërsa përballë rasteve të tilla, militantët socialistë priren të mblidhen edhe më fort rreth përfaqësuesve të tyre.

Kjo është një dinamikë e njohur politike: kur një grup ndihet i sulmuar nga jashtë, rritet solidariteti brenda tij. Prandaj një aksion që synon të dobësojë mazhorancën mund të përfundojë duke forcuar bërthamën e saj militante.

Por problemi më i madh është elektorati gri. Ka shumë qytetarë që janë të pakënaqur me qeverinë, madje thellësisht, por nuk janë militantë të opozitës.

Ata mund të jenë të zhgënjyer nga mazhoranca dhe të kërkojnë ndryshim, por nuk e shohin veten në një lëvizje ku agresiviteti verbal, përplasjet apo poshtërimi publik bëhen pjesë e saj.

Ky elektorat nuk kërkon një tjetër luftë mes kampeve. Ai kërkon një alternativë. Kjo është arsyeja pse radikalizimi i protestës është një kurth.

Sa më shumë një lëvizje mbyllet në gjuhën e përplasjes, aq më shumë afrohet me bërthamën e saj më të zjarrtë dhe aq më shumë largohet nga pjesa e moderuar e shoqërisë.

Kjo mund të shpjegojë edhe një pjesë të rënies së pjesëmarrjes pas tubimeve të mëdha të fillimit të qershorit, kur në rrugë dolën dhjetëra mijëra qytetarë.

Vapa dhe sezoni i pushimeve kanë pasur sigurisht ndikimin e tyre, por nuk mund të anashkalohen as përçarjet, protagonizmi individual dhe radikalizimi gradual përmes përplasjeve të përsëritura përpara parlamentit.

Një protestë mund të mbledhë mijëra njerëz për shkak të zemërimit. Por për të sjellë ndryshim politik duhet të bindë edhe ata që nuk janë ende pjesë e saj.

Prandaj sfida nuk është zbutja e revoltës ndaj pushtetit. Por ta kthesh atë revoltë në një forcë politike më të madhe se zemërimi i militantëve.

Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë fort, të kritikojnë dhe të kërkojnë llogari. Por protesta më efektive nuk është ajo që e poshtëron kundërshtarin; është ajo që bind qytetarin që dje nuk ishte me ty.

Në fund, dy të vërteta mund të qëndrojnë njëkohësisht. Qytetarët mund të kenë arsye të forta për të qenë të revoltuar, megjithatë mënyra e shprehjes së kësaj revolte mund të jetë politikisht e gabuar.

Nëse synimi është ndryshimi, protesta duhet të jetë më e zgjuar se zemërimi që e ushqen atë. Sepse pushteti nuk mund të humbasë nga një revoltë që në vend se ta dobësojë, e ndihmon të mblidhet rreth vetes. tesheshi

Related posts

Italia kërkon rregull në plazhe, Shqipëria përballet ende me kaosin!

Muhamet Ramadani

Putin sinjalizon pezullimin e marrëveshjes së drithërave

Muhamet Ramadani

BM – Ministri i Jashtëm: Kievi ka të drejtë të sulmojë territorin rus për vetëmbrojtje

admin