RTV AHIRETI
KosovëLajmeRajon dhe Botë

Rama: KFOR-i është një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi

rama:-kfor-i-eshte-nje-garanci-shume-e-madhe-ne-cdo-rast-kercenimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se KFOR-i nuk është një fuqi ndarëse e territorit të Kosovës, por sipas tij, është një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi, transmeton Anadolu.

Kryeministri Rama ka publikuar një reagim në rrjetet sociale në lidhje me reagimet dhe qëndrimet mbi deklaratat e tij të djeshme se “për të parandaluar konfliktin, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

“Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale. Nga ana tjetër u kemi ripërcjellë aleatëve arsyet e moslinjëzimit tonë me deklaratën e fundit të BE-së, duke vazhduar të kërkojmë qëndrimin e tyre publik, lidhur me grupin e armatosur kriminal që vrau efektivin e policisë së Kosovës dhe lidhur me zinë kombëtare në Beograd për pjesëtarët e asgjësuar të atij grupi”, shkruan Rama.

Rama ka theksuar se kërkesën mbi KFOR-in në veri e ka bërë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100 për qind tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të ‘vëllaut të Vuqiqit’, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për ‘Republikën e KFOR-it’, u kujtoj sot se: KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundrazi një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi”, thekson Rama.

Rama shton se e di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, ‘nuk jemi akoma aty’ dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë”, shkruan ndër të tjera Rama.

Kujtojmë se kryeministri Rama, në një konferencë për mediat më 28 shtator, tha se “për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”, ndërsa deklarata e tij ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Kosovë.

Related posts

“Shpërthen” sërish Covid-19, Kina izolon qytetin me 16 milionë banorë

admin

Rritet besimi ndaj Policisë në veri: Qytetarët serbë nisin t’i informojnë ata për çdo parregullsi

admin6

Prigozhin mohon se ka tentuar të rrëzojë Qeverinë ruse

rezart morina