RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama s’ka nevojë ta mposhtë protestën, nëse ajo nis të mundë veten!

rama-s’ka-nevoje-ta-mposhte-protesten,-nese-ajo-nis-te-munde-veten!

Përplasjet mes grupimeve i japin qeverisë atë që i duhet më shumë: kohë, lodhje dhe përçarje

Nikolo Makiaveli kuptonte mjaft mirë një nga rregullat më të vjetra të pushtetit: kundërshtari është më i lehtë për t’u mposhtur kur përçahet. Për ta kuptuar këtë, s’ka nevojë të kërkojmë komplote apo skenarë të fshehtë.

Mjafton të shohim se çfarë ndodh kur një lëvizje që është ngritur kundër qeverisë, fillon të harxhojë energjinë e saj duke luftuar me veten.

Njerëzit nuk kanë dalë në shesh për të parë se kush do të marrë mikrofonin, dhe as se cili aktivist ka më shumë të drejtë të flasë, cili grup duhet të drejtojë apo kush mund të shpallet përfaqësues i të gjithëve.

Ata kanë dalë sepse janë të pakënaqur me mënyrën se si qeveriset vendi dhe sepse kërkojnë ndryshim. Kjo është pika që nuk duhet harruar. Protesta mund të ketë shumë zëra. Madje duhet t’i ketë.

Në një lëvizje qytetare është normale të ketë njerëz me ide të ndryshme, me strategji të ndryshme dhe me këndvështrime të ndryshme për atë që duhet të ndodhë më pas. Dikush kërkon dorëheqjen e qeverisë. Dikush qeveri teknike.

Dikush një ndryshim më të thellë të sistemit politik. Të tjerë akoma nuk besojnë te partitë tradicionale dhe kërkon që protesta të mbetet tërësisht qytetare. Asnjë prej këtyre dallimeve nuk është në vetvete problem.

Ai nis kur dallimi kthehet në armiqësi. Kur kritika shndërrohet në sulm. Kur debati kthehet në përplasje. Kur një grup fillon ta shohë tjetrin si pengesën kryesore. Dhe sidomos kur lufta për kontrollin e protestës bëhet më e rëndësishme se arsyeja për të cilën njerëzit kanë dalë në rrugë.

Atëherë protesta fillon të humbasë. Dhe jo sepse e ka mundur pushteti, por sepse ajo po harxhon forcën e saj në vendin e gabuar. Kjo është ajo që duhet të kuptojnë të gjithë ata që janë pjesë e kësaj lëvizjeje.

Kritika nuk është përçarje. Kërkesa për transparencë nuk është tradhti. Të mos jesh dakord me një organizator apo me një strategji, s’do të thotë se duhet të shpallësh armik këdo që mendon ndryshe.

Përkundrazi, një protestë e shëndetshme duhet të ketë debat. Por debati duhet të shërbejë për ta bërë më të fortë lëvizjen, jo për ta kthyer atë në një arenë ku secili përpiqet të eliminojë tjetrin.

Sepse ndërsa protestuesit përplasen, pushteti fiton kohë. Dhe koha është një nga armët më të forta të çdo pushteti.

Edi Rama nuk ka nevojë të dalë çdo mbrëmje në shesh për t’u përballur me protestuesit. Nuk ka nevojë të fitojë çdo debat dhe as të bindë çdo qytetar se protesta nuk ka arsye të ekzistojë. I mjafton të presë mbërritjen e lodhjes, zhgënjimit.

Të presë momentin kur qytetari i zakonshëm, ai që doli në rrugë sepse besoi se mund të ndryshonte diçka, të mos e shohë më protestën si një mundësi për ndryshim, por si një tjetër konflikt politik.

Nëse ndodh kjo, pushteti nuk ka pse ta mposhtë protestën. Protesta do të ketë filluar ta mposhtë veten.

Prandaj sheshi nuk mund të bëhet pronë e askujt. As e organizatorëve, as e aktivistëve, as e partive dhe as e atyre që mendojnë se kanë të drejtën të vendosin kush është “protestuesi i vërtetë”.

Sheshi u përket të gjithë qytetarëve që kanë dalë aty. Nëse ka probleme në organizim, ato duhen diskutuar. Nëse ka gabime, duhen korrigjuar. Nëse ka njerëz që kërkojnë ta përdorin protestën për interesa personale, duhen ekspozuar.

Por kjo duhet bërë me fakte dhe me një qëllim të vetëm: që protesta të mos humbasë atë që e bëri të rëndësishme. Sepse beteja nuk është për mikrofonin. Nuk është për protagonizmin.

Dhe as është për të përcaktuar se kush do të dalë në krye të turmës. Beteja është nëse qytetarët do të arrijnë ta mbajnë të bashkuar një energji që ka arritur të dalë në shesh për kaq gjatë dhe ta drejtojnë atë aty ku duhet: te pushteti dhe te përgjegjësia e tij.

Në fund, pyetja është e thjeshtë: kujt i shërben një protestë e përçarë? Sigurisht jo qytetarëve, jo atyre që kërkojnë ndryshim, jo atyre që kanë dalë në shesh.

Ajo i shërben pushtetit. Makiaveli do ta kishte kuptuar menjëherë këtë skenë. Edi Rama nuk ka nevojë ta mundë protestën. Atij i mjafton që protesta të fillojë të mundë veten. Dhe kjo nuk duhet lejuar në asnjë rrethanë. tesheshi

Related posts

Begaj në shtëpinë e akademikut Rexhep Qosja, ja dhuratat e veçanta që shkëmbyen

admin

Nigeri, rreth 90 mijë vdekje në vit për shkak të malaries – VIDEO

admin

Në sulmet e kryera nga Gaza rritet në 300 numri i izraelitëve që humbën jetën

Muhamet Ramadani