RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Raporti i KE-së: Shqipëria ruajti rekordin e përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së

raporti-i-ke-se:-shqiperia-ruajti-rekordin-e-perafrimit-me-politiken-e-jashtme-dhe-te-sigurise-te-be-se

Komisioni Evropian (KE) ka publikuar raportin e progresit për Shqipërinë, ku duke iu referuar procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) thekson se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, transmeton Anadolu.

Sipas raportit, arritja e qëllimit të Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 varet nga ruajtja e momentit të reformave dhe nxitja e dialogut politik gjithëpërfshirës. Gjithashtu theksohet se me kusht që të ruhet ritmi i reformave, Shqipëria është në rrugën e duhur “për të përmbushur këtë objektiv ambicioz”.

“Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, me katër grupe të hapura gjatë vitit të kaluar. Përgatitjet për hapjen e grupit të fundit këtë vit kanë përparuar mirë. Është arritur përparim në bazat, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur standardet e ndërmjetme sipas bazave, të cilat do të hapin rrugën për të filluar mbylljen e kapitujve negociues pasi të jenë bërë reformat e nevojshme sektoriale”, theksohet nga KE-ja.

Gjithashtu raporti thekson progresin e Shqipërisë në disa fusha, si sundimi i ligjit, administrata publike, zgjedhjet dhe reforma në drejtësi.

“Angazhimi i fortë politik i autoriteteve shqiptare ndaj qëllimit strategjik të integrimit në BE është deklaruar vazhdimisht si përparësia kryesore e vendit, dhe një nivel i lartë ambicieje për të ecur përpara në negociatat e pranimit është ruajtur përgjithësisht. Momenti i vazhdueshëm në procesin e negociatave të pranimit duhet të çojë në reforma më të shpejta në lidhje me BE-në. Shqipëria ruajti rekordin e saj të përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke u përafruar me qëndrimin e BE-së, duke përfshirë masat kufizuese dhe sanksionet kundër Rusisë”, thuhet në raport.

Sipas raportit, qëndrimi i Shqipërisë dërgon një sinjal të fortë të zgjedhjes së saj strategjike për pranimin në BE dhe të rolit të saj si një partner i besueshëm. Gjithashtu thuhet se Shqipëria është angazhuar në mënyrë aktive dhe ka filluar të zbatojë Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në lidhje me raportin ka reaguar edhe delegacioni i BE-së në Tiranë, ku në rrjetet sociale thekson se “Një BE më e zgjeruar është një Evropë më e fortë”.

“Paketa e Zgjerimit 2025 shënon një hap tjetër drejt një kontinenti të bashkuar, duke udhëhequr partnerët tanë në rrugën e tyre drejt BE-së dhe duke pasqyruar përparimin e bërë gjatë këtij viti. Së bashku, po ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane”, thuhet nga Delegacioni i BE-së.

– Shqipëria: Raporti evidenton përparimin e qëndrueshëm të vendit në reformat kyçe

Në lidhje me raportin e KE-së ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, ku në një deklaratë thekson se raporti evidenton përparimin e qëndrueshëm të vendit në reformat kyçe, “shënon arritjet konkrete dhe rithekson përkushtimin e palëkundur të Qeverisë dhe të Shqipërisë ndaj standardeve evropiane”.

“Në mënyrë të veçantë, raporti përshëndet angazhimin e fortë politik të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Ai thekson përparimin e rëndësishëm në reformat themelore, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë, si dhe rezultatet domethënëse të arritura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar edhe bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar në këto fusha. Raporti vlerëson përparimin e bërë në procesin e negociatave të anëtarësimit që prej tetorit të vitit 2024, duke theksuar ecurinë e tyre me një ritëm ‘të paprecedentë’, që ka çuar në hapjen e 28 kapitujve brenda një viti. Në përputhje me planet e përbashkëta të punës, pesë kapitujt e mbetur pritet të hapen para fundit të këtij viti”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se Ministria për Evropën dhe e Punët e Jashtme e mirëpret raportin e Komisionit dhe i konsideron gjetjet si dhe rekomandimet e tij një moment të rëndësishëm reflektimi, “për të vlerësuar rrugën e deritanishme dhe për të forcuar përgjegjësinë për të vijuar përpara me fokus, vendosmëri dhe rezultate konkrete”.

Sipas ministrisë, integrimi në BE mbetet udhërrëfyesi strategjik për forcimin e demokracisë, zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë “në dobi të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”.

– Rama: Le të vazhdojmë, të ecim përpara së bashku

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke iu referuar deklaratave të komisioneres së BE-së për zgjerimin, Marta Kos, ka shkruar në rrjetet sociale se do të bëjnë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. “Le të vazhdojmë, të ecim përpara së bashku”, ka shkruar Rama.

Në një reagim në rrjetet sociale të shpërndarë nga Rama, Kos thekson se “Shqipëria ka bërë përparime të papara”.

Related posts

Kryediplomati turk dhe homologu i tij saudit diskutojnë për çështjet rajonale

Irfan Jahiu

Nga Amerika Latine në Shqipëri: si përfundojnë në prostituta me dhjetra vajza ardhur nga larg

Hevzi

Gjermani, 2 të vdekur dhe qindra të arrestuar gjatë festimeve të vitit të ri

Muhamet Ramadani