Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, në të cilën ai flet për faktin se Serbisë iu ka rrëmbyer Kosova.
Klinaku thotë se po të mos ishin përpjekjet e popullit shqiptar, sa për Kroacinë dhe ndërkombëtarët, Kosova ende do të ishte nën Jugosllavi, raporton Indeksonline.
“Shqipërisë i janë aneksuar territoret edhe më herët, por ta themi që nga 1912-ta. Për këtë, shqiptarët nuk i kanë ndalur asnjëherë përpjekjet për t’i rikthyer territoret, që ende i mbajnë pushtuesit sllav e grek.
Po të mos ishin përpjekjet e popullit shqiptar, e sidomos po të mos ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sa për Kroacinë dhe ndërkombëtarët, Kosova ende do të ishte nën Jugosllavi”, shkruan Klinaku.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka mbajtur një konferencë për media në Petrinja, nga ku foli për luftën në Ukrainë, duke u shprehur kundër dërgimit të armëve atje.
Ndër tjerash, ai aty gjeti shkas të flasë edhe për Kosovën, duke thënë se ajo u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare. Tani, sipas Milanoviqit, Rusia po e bën të njëjtën në Ukrainë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.
“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë ai.