Pas pesë viteve nga ndarja, Lëvizja BESA dhe Alternativa kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit. Në ambientet e Kuvendit, të dy kryetarët e partive, ai i BESËS, Bilall Kasami dhe i Alternativës, Afrim Gashi, kanë nënshkruar deklaratë politike për bashkëpunim.
Arsyeja, siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga të dyja partitë, është bashkërendimi i aktiviteteve dhe mbrojtja e interesave strategjike të vendit si dhe të shqiptarëve.
Arsye e këtij takimi ishte zyrtarizimi i gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet politike të të dyja partive në drejtim të ndërtimit të një kampi opozitar që, fillimisht, do t’i artikulojë dhe mbrojë interesat strategjike integruese të vendit, ato etnike shqiptare dhe, në përgjithësi, ato qytetare, ndërsa më tej do të synohet që ky bashkëpunim të shtrihet në nivele të tjera të ndërveprimit politik.
Më tej në komunikatën qëndron se për ta, ky është një moment historik për të bashkuar forcat dhe për ta deligjitimuar këtë pushtet.
Duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm, kur procesi integrues po ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti, ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit dhe të shqiptarëve.
Të dy partitë njoftuan se presin frontit opozitar t’i bashkëngjiten edhe subjekte tjera për të cilat thanë se do të njoftojnë me kohë.