Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) pas ftesës nga autoritetet shqiptare ka hapur një mision vëzhgimi për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri, raporton Anadolu.
Në një konferencë për mediat në Tiranë, drejtuesja e misionit, Audrey Glover, foli mbi angazhimin e misionit të OSBE/ODIHR-it dhe prioritetet e punës së tyre.
“Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë punës së administratës zgjedhore dhe organeve qeveritare, zbatimit të rekomandimeve të lëna nga misionet e mëparshme të vëzhgimit të zgjedhjeve, mjedisit të fushatës për të parë nëse do ketë një fushatë efikase dhe pjesëmarrjen e grave në procesin zgjedhor. Do të shohim gjithashtu dhe pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuesve të pakicave kombëtare në gjithë procesin zgjedhor”, tha ajo.
Glover shtoi se roli i tyre është që të vëzhgojnë zgjedhjet dhe theksoi se “ne nuk ndërhyjmë në zgjedhje, nuk jemi as policia e zgjedhjeve, as mbikëqyrësit dhe as politikanë”.
“Ne jemi profesionistë të zgjedhjeve, nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve. Ne duam thjesht të sigurohemi që procesi është transparent. Ne gjithashtu jemi të interesuar të shohim nëse procesi është në përputhje me angazhimet e OSBE-së që përfshijnë parimet e barazisë, drejtësisë dhe votimit të fshehtë. Ajo çfarë na intereson gjithashtu është që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të nxirren dhe të shpallen në mënyrë korrekte”, u shpreh Glover.
Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it theksoi se roli i misionit është që të bëjnë një vlerësim teknik të procesit.
Misioni përbëhet nga një ekip bazë prej 13 ekspertësh me qendër në Tiranë dhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të vendosen në të gjithë vendin nga 13 prilli. Përveç kësaj, sipas misionit, ODIHR planifikon të kërkojë nga OSBE-ja 300 vëzhgues afatshkurtër, që të mbërrijnë disa ditë përpara ditës së zgjedhjeve.
Sipas zyrtarëve të ODIHR-it, misioni do të vëzhgojë zgjedhjet për pajtueshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar.