RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Rritet numri i të paraburgosurve me probleme mendore

rritet-numri-i-te-paraburgosurve-me-probleme-mendore

Fatmire Haliti, nga Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturuarve, ka deklaruar se viteve të fundit është rritur numri i personave me probleme mendore që kanë përfunduar në qendrat e paraburgimit dhe në vuajtje të dënimit.

Ajo ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se personat e tillë nuk duhet të qëndrojnë të paraburgosur në qendrat e njëjta ku mbahen edhe personat e tjerë.

“Numri i personave me probleme mendore është në rritje, sa i përket vendosjes së tyre në institucione korrektuese, e po ashtu edhe i përdoruesve të substancave narkotike…Sidomos te rastet e dhunës në familje viteve të fundit kemi pasur kryesisht persona që kanë çrregullime mendore e ata vendosen në institucione korrektuese, gjë që s’e marrin një trajtim të duhur, në mënyrë që kur të lirohen të jenë të përgjegjshëm dhe të mos e shkelin ligjin”, ka deklaruar Haliti.

Sipas saj, në mungesë të institucioneve të duhura, qëndrimi i të gjithë të paraburgosurve në qendra të njëjtë shkakton tensione dhe konflikte.

“Sipas ligjit, personat me probleme mendore duhet ta mbajnë paraburgimin në institucione të specializuara shëndetësore. Në Kosovë ekziston vetëm një i tillë që është Instituti i Psikiatrisë Forenzike i Kosovës që i ka 24 shtretër për masë të trajtimit të detyrueshëm dhe vetëm 12 shtretër për ekzaminim psikiatrik. Numri prej 12 është i pamundur për t’i mbuluar kërkesat për vendosjen e këtyre personave. Këta duhet të vendosen në qendrat e paraburgimit me personat e tjerë, pasi shpesh shkaktojnë konflikte, dhunë e tentime vetëvrasëse”, ka shtuar ajo.

Haliti ka theksuar se vitin e kaluar janë regjistruar shumë tentime për vetëvrasje nga personat me probleme mendore që gjendeshin në qendra të paraburgimit ose në vuajtje të dënimit. Numri më i lartë i tyre është në Prishtinë, gjithsej 14, ndërsa 1 në qendrën e paraburgimit në Gjilan ka kryer vetëvrasje.

Ajo ka thënë se një prej dështimeve që është adresuar është mungesa e programeve rehabilituese dhe risocializuese përkatëse.

“Rekomandimet janë të ndërmerret një strategji dhe të vendosen në një institucion të veçantë se si të trajtohen personat me probleme mendore dhe për ata të varur nga droga, të kenë vende të veçanta. Kemi rekomanduar edhe sa i përket kushteve të infrastrukturës”, ka thënë Haliti.

Related posts

Qytetet më të rrezikshme evropiane për të moshuarit nga vapa ekstreme

rezart morina

Izraeli rrëzon 9 shtëpi palestineze në Bregun Perëndimor

admin

Zemërohet Izraeli pasi restoranti i quajtur 7 Tetori hapet në Jordani

rezart morina