Marrëdhëniet midis Moskës dhe Washingtonit janë në prag të një konflikti të hapur të armatosur, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov, transmeton Anadolu.
“Jemi duke punuar që marrëdhëniet me SHBA-në të mos bien në humnerën e një konflikti të hapur të armatosur, në prag të së cilës tashmë jemi, jemi në buzë të kësaj humnere”, tha Ryabkov të enjten mbrëma në një intervistë për kanalin televiziv rus Pervy.
Rusia dhe SHBA-ja mbajnë kontakte, kurse problemi është te mungesa e besimit, pasi Washingtoni hedh poshtë gjithçka që Moska thotë, duke e quajtur “dezinformim”, tha ai.
Diplomati shtoi se SHBA-ja “ka qenë prej kohësh pjesë e drejtpërdrejtë e konfliktit ukrainas, duke zhvilluar një luftë të hapur hibride”.
“Ukraina është vetëm një mjet në duart e tyre… Qëllimi i tyre është të shkatërrojnë një Rusi sovrane, të pavarur si një faktor ndërkombëtar, ata po tundohen gjithnjë e më shumë të luajnë me idenë e copëtimit të Rusisë… Ky është një cenim i drejtpërdrejtë të themeleve të sistemit tonë shtetëror”, theksoi ai.
Ryabkov gjithashtu tha se Rusia ka shpjeguar shumë herë rrënjët e konfliktit në Ukrainë, duke përfshirë “rolin shkatërrues që luajti SHBA-ja në ngjarjet para grushtit të shtetit të vitit 2014 në Kiev” që çoi në luftën civile tetëvjeçare në Donbas, të cilën askush përveç Rusisë nuk donte ta zgjidhte me mjete diplomatike.
“Ndërsa tani, ata po përpiqen të pretendojnë se po ndihmojnë Kievin në luftën e tij, ky është kulmi i cinizmit dhe hipokrizisë”, tha ai.
Ryabkov më tej pohoi se nga Washingtoni varet se kur Kievi do të ndalojë luftën dhe do të ulet në tryezën e bisedimeve dhe se SHBA-ja aktualisht është e vendosur t’i shkaktojë Rusisë një “disfatë strategjike”.
“Ne shohim se SHBA-ja llogarit për përshkallëzim të mëtejshëm për çka i kemi paralajmëruar… I kujtojmë se rreziqet janë rritur shumëfish në muajt e fundit”, theksoi ai.
Diplomati rus tha se nuk ka asnjë “zgjidhje magjike” për dallimet midis Rusisë dhe SHBA-së dhe se Moska pret një përgjigje nga Washingtoni që t’i tregojë se sinjalet e saj janë dëgjuar.
Sulmi me dronë ndaj Kremlinit dhe arrestimi i gazetarit amerikan
Ryabkov tha se reagimi i SHBA-së ndaj sulmit me dronë të së martës ndaj Kremlinit është një “neglizhencë e bazave të politikës së jashtme”, duke shtuar se përpjekjet e Washingtonit për të treguar mospërfshirjen e tyre nuk mund të bindin askënd.
“Unë mendoj se çdo person i arsyeshëm në çdo vend do të kuptojë se ne po flasim për faktin se SHBA-ja vazhdon kursin e saj në rritje dhe përdor repartet e saj në Kiev, kukullat e saj atje, për të organizuar dhe kryer veprime provokuese gjithnjë e më sfiduese dhe gjithnjë e më të rrezikshme”, theksoi ai.
SHBA-ja mund të mohojë përgjegjësinë dhe përfshirjen e saj në sulm, por kjo “nuk mund të bindë askënd”, shtoi Ryabkov.
Sa i përket Rusisë, ajo është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur sigurinë dhe udhëheqjen e saj, theksoi ai.
Duke komentuar arrestimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich, zëvendësministri jashtëm rus tha se Washingtoni nuk dha asnjë provë për pafajësinë e gazetarit.
Sipas Ryabkovit, situata rreth Gershkovichit po “nxehet deri në kufi” nga mediat amerikane dhe administrata presidenciale, të cilat po përpiqen të ushtrojnë presion mbi Rusinë në këtë mënyrë, por, siç tha ai, vendimi për rastin e Gershkovich do të merret nga gjykata.
“Gershkovich u kap në flagrancë. Zyrtarët në Washington nuk janë në gjendje të kundërshtojnë asgjë për këtë”, theksoi Ryabkov.