Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se sulmet e Ukrainës ndaj Flotës së Detit të Zi rrezikojnë vazhdimin e marrëveshjes së drithit, transmeton Anadolu.
Hetimet e sulmeve të fundit ndaj objekteve të Rusisë zbuluan se mjetet ukrainase pa pilot i ndërmorën këto sulme nga porti i Odessas, i cili përdoret për zbatimin e Iniciativës së Drithit të Detit të Zi, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ministria shtoi se sulmet u kryen më 23 mars dhe 24 prill dhe se Ukraina përdori korridorin humanitar, i cili shërben ekskluzivisht për qëllimet e marrëveshjes së drithit, për të ndërmarrë sulmet me dron.
“Veprimet terroriste të regjimit të Kievit kërcënojnë vazhdimin e ardhshëm të marrëveshjes së drithit pas 18 majit”, tha ministria.
Në tetor të vitit të kaluar, Rusia pezulloi zbatimin e marrëveshjes së drithit pas sulmeve me dronë të Ukrainës ndaj Flotës së Detit të Zi dhe anijeve civile, të cilat, sipas ministrisë, ishin të përfshira në garantimin e sigurisë së “korridorit të drithit”.
Marrëveshja u rinovua pas marrjes së garancive nga Türkiye dhe angazhimeve me shkrim nga Ukraina se nuk do të përdorte korridorin humanitar dhe portet e Ukrainës për operacione ushtarake kundër Federatës Ruse.
Korrikun e kaluar, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istambul për rifillimin e eksportit të drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022, duke përkeqësuar pasigurinë ushqimore globale.
Gjithashtu, në Istanbul u ngrit Qendra e Përbashkët e Koordinimit (JCC), e cila mbikëqyr dërgesat me zyrtarë nga të tri vendet dhe OKB-ja.