RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

​Sërish gërmime në varrezat e Suhodollit të Mitrovicës

​serish-germime-ne-varrezat-e-suhodollit-te-mitrovices

Në njërën prej varrezave të fshatit Suhodoll në Mitrovicë, ku më parë ishin gjetur 14 trupa, kanë vazhduar sot për herë të tretë gërmimet në kërkim të një trupi të vrarë nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur për KosovaPress se po punohet në kërkim të mbetjeve mortore të një viktime të luftës së fundit nga forcat serbe.

Sipas tij, janë rikthyer me punime sërish në këtë lokacion sepse hapësirat e varrezave janë përdorur nga forcat serbe për fshehjen e kufomave të viktimave shqiptare të luftës.

Ai theksoi se rajoni i Mitrovicës është një prej rajoneve me numrin më të madh të viktimave dhe personave të zhdukur me forcë.

Në lidhje me vazhdimin e gërmimeve në Serbi, Gara tha se gërmimet atje janë gjithmonë sfiduese për shkak të qasjes politizuese të institucioneve të Serbisë përballë këtij problemi.

Ai apeloi tek Bashkësia Ndërkombëtare për presion më të madh ndaj Serbisë, në mënyrë që Beogradi të jetë më bashkëpunues në këtë proces

“Janë duke u realizuar gërmimet në kuptim të vlerësimit të një lokacioni të shënjuar, në kërkim të mbetjeve mortore të një viktime të luftës të vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999… Rajoni i Mitrovicës është një prej rajoneve me numrin më të madh të viktimave dhe personave të zhdukur me forcë. Rrjedhimisht janë me dhjetëra lokacione në procedurën e gërmimit lehtësues gjatë këtyre 23 viteve, me qindra viktima të zhvarrosura… Janë disa lokacione në të cilat po rikthehemi në mënyrë të veçantë në këtë rast në rajonin e Mitrovicës, por edhe në rajonin e komunave të mëdha si në rastin e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, në gërmim të zonave të varrezave, meqë hapësira e varrezave është përdorur nga forcat serbe gjatë luftës, për fshehjen e kufomave të viktimave të luftës… Gërmimet në territorin e Serbisë gjithmonë janë sfidë në vete, për shkak të qasjes politizuese të institucioneve të Serbisë karshi këtij problemi. Faktikisht nuk ka datë të saktë as për fillimin e gërmimeve në lokacionet tanimë të shënjuara dhe për të cilat janë proceduar kërkesat zyrtare nga ana e delegacionit tonë, por nuk ka ndonjë datë as për mundësinë e vazhdimit të gërmimit në lokacionet për të cilat pala serbe pretendon se kanë përfunduar, por mbesin të papërfunduara për institucionet tona… Duhet gjithsesi të ketë presion më të madh të Bashkësisë ndërkombëtare ndaj institucioneve të Beogradit për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces”, ka thënë Gara.

Ndërkaq, kreu i Shoqatës “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, Bajram Çerkini, tha se nga gjithsej 337 të pagjetur në Mitrovicë, 228 trupa janë gjetur, ndërsa vazhdohet të kërkohen edhe 109 trupa të tjerë.

“Numrat e pasluftës të të pagjeturve kanë qenë 337. Deri më sot janë të pagjetur ende edhe 109 persona në komunën e Mitrovicës”, theksoi Çerkini.

Vlen të theksohet se përkundër gërmimeve nga orët e paradites, nuk është gjetur asnjë mbetje mortore në këtë lokacion, ndërsa punimet kanë përfunduar sa I përket ditës së sotme.

Related posts

Isufaj konfirmon se dha pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Radojiçiqit

rezart morina

Kovaçevski: Nuk pranojmë asgjë pa definim të qartë për identitetin dhe gjuhën maqedonase

admin

Kurti kujton 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste: Lavdi heronjve që dhanë jetën për liri

admin