RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmet

Serwer këshillon Kurtin për Asociacionin: Gjuaje topin në anën e Serbisë

serwer-keshillon-kurtin-per-asociacionin:-gjuaje-topin-ne-anen-e-serbise

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, në një shkrim të gjatë të publikuar në ‘peacefare’, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të dalë me një opsion për Asociacionin.

Serwer tha se pasi diplomatët amerikanë Chollet dhe Escobar po e ftojnë Qeverinë e Kosovës të paraqesë propozimin e saj, Kurti duhet ta pranojë këtë sfidë.

“Kurti duhet ta krijojë një strukturë ndërkombëtare që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkesat tjera të Kosovës, duke e bërë kështu rolin e Serbisë në komunitetet me shumicë serbe më transparent dhe të përgjegjshëm. Kosova duhet të kërkojë që të krijohet një strukturë e krahasueshme me atë të komunitetit me shumicë shqiptare brenda Serbisë”.

Edhe pse sipas tij asgjë e projektuar nga Prishtina s’ka gjasa t’i pëlqejë Beogradit, thekson se së paku do të kënaqte amerikanët që do ta kuptonin se Kurti është i gatshëm të ecë përpara me Asociacionin.

Kjo shton ai e vë topin në fushën e Serbisë, ku edhe duhet të jetë.

Çka po kërkon Serbia?

Ajo që kërkon presidenti Vuçiq sipas Serëer, është tendenca për kontrollin hegjemonist të popullatës serbe në Kosovë.

“Ky kontroll tashmë ekziston, veçanërisht në katër komunat veriore të afërta me Serbinë. Beogradi ka kontrolluar për dy dekada qeveritë e tyre, sistemet arsimore dhe shëndetësore, policinë dhe gjykatat. Paratë rrjedhin drejtpërdrejt nga Beogradi në këto institucione dhe punonjësit e tyre. Pak ndodh në komunitetet serbe veriore që Beogradi nuk do të mund ta ndryshonte nëse do ta bënte këtë. Kjo përfshin aktivitetet e shumta të krimit të organizuar”, tha ai.

Tutje shtoi se Serbia dëshiron që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë kontroll etnik.

“Beogradi u thotë shpesh diplomatëve perëndimorë se objektivi është një marrëveshje më e mirë për komunitetin serb në Kosovë. Ajo po ndjek objektiva të ngjashme edhe në Bosnje dhe Mal të Zi. Por brenda Serbisë kjo shtrirje e kontrollit të Beogradit te serbët etnikë përtej kufijve të Serbisë quhet “bota serbe”. E krahasueshme me botën ruse që presidenti Putin po ndjek brenda Ukrainës, kjo është një përpjekje irredentiste për të mohuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve fqinje që kanë popullsi të konsiderueshme serbe”, u shpreh eksperti amerikan.

Ai theksoi se Vuçiq po tenton të ndërtojë de fakto nëse jo de jure Serbinë e Madhe që Millosheviqi nuk arriti ta krijojë në vitet 1990.

Çfarë po kërkon Kosova?

Serwer thotë se kryeministri Kurti dëshiron një vend sovran me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e tij dhe pa privilegje etnike në të gjithë territorin e tij.

Kjo sipas tij do të linte pa mëdyshje autoritetin në duart e shqiptarëve, pasi ata përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë.

“Megjithatë, Kosova nis kushtetuesisht larg këtij objektivi, pasi ka vende të rezervuara për pakicat në parlament si dhe kërkesat për pjesëmarrjen e pakicave në qeverinë e saj. Ekziston gjithashtu një Këshill i Komuniteteve që u jep pakicave qasje të drejtpërdrejtë tek Presidenti. Disa nga komunat me shumicë serbe u krijuan në mënyrë eksplicite për t’u dhënë serbëve më shumë kontroll lokal. Të gjithë kanë kompetencat e gjera të parapara me legjislacionin e Kosovës. Asnjë nga këto nuk do të ndryshojë”.

Ai pohon se shqiptarët nuk janë më pak të lidhur me etninë e tyre sesa serbët, duke shtuar se janë të shqetësuar për mirëqenien e komuniteteve shqiptare në Serbinë jugore, të cilat kanë qenë nën presion të konsiderueshëm nga forcat serbe të sigurisë për dekada.

“As këtyre komuniteteve nuk u ofrohet diçka si privilegjet që serbët tashmë kanë dhe po kërkojnë brenda Kosovës. Reciprociteti është rregulli i parë i diplomacisë. Beogradi nuk duhet të kërkojë asgjë që nuk është i gatshëm të japë…”.

Çka më pas?

Pyetja është nëse ka ndonjë mënyrë për të kënaqur, të paktën pjesërisht, edhe Vuçiqin edhe Kurtin.

Siç thekson Serëer, amerikanët e shohin Asociacionin si një mekanizëm koordinues.

“…Ata po premtojnë se ajo do të duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, të përfshijë joserbët që jetojnë në komunat me shumicë serbe, t’i bëjë transfertat financiare nga Beogradi më transparente dhe të integrojë më mirë popullatën serbe në Kosovë. Këto janë objektiva të denjë”, shprehet ai.

A mund të arrihet kjo?

“Unë dyshoj se po, por ata do të kërkojnë diçka ndryshe nga asambleja dhe ekzekutivi i AKS-së të dominuar nga serbët që parashikon Beogradi”, shton tutje Serwer.

Kjo strukturë sipas tij do t’i jepej vetes shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat amerikanët thonë se nuk e duan.

“Në vend të kësaj, “Asociacioni” duhet të jetë një ndërmarrje dypalëshe, e cila përfshin pjesëmarrjen aktive të Beogradit dhe Prishtinës, si dhe garantuesve amerikanë dhe evropianë. Nëse Beogradi dëshiron të paguajë për arsimin ose zhvillimin ekonomik në komunat me shumicë serbe, transfertat duhet të kërkojnë miratimin e Prishtinës si dhe kontributin e komuniteteve të përfshira, jo vetëm vendimet e njëanshme të Serbisë”, vazhdon ai.

Serëer konsideron se koordinimi ndërmjet komunave me shumicë serbe duhet të marrë parasysh edhe nevojat e fqinjëve të tyre në komunat me shumicë shqiptare të Kosovës.

“Pra, një kërkesë mund të jetë pjesëmarrja aktive e serbëve në asociacionin ekzistues të komunave të Kosovës…”, shkroi Serwer.

Related posts

Policia e Kosovës shton masat e sigurisë në Ferizaj, Kaçanik , Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit – arrestohen 9 persona

admin

Kërkohet që pronat e Xhafer dhe Qazim Devës që janë konfiskuar nga Serbia t’i kthehen familjes së tyre

admin

Gara për Shtëpinë e Bardhë/ VOA: Biden dhe Trump synojnë të tërheqin votuesit afro-amerikanë në shtetet kyçe

admin