Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan në një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti shprehu shqetësimet e tij për lëvizjet ushtarake serbe në kufirin me Kosovën, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë mësohet se Sullivan zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti.
Sullivan përcolli ngushëllimet ndaj Kosovës për policin i cili humbi jetën në ngjarjet e 24 shtatorit dhe shprehu shqetësimet për lëvizjet ushtarake serbe në kufirin me Kosovën.
Pasi ka folur lidhur me bisedimet për të mbështetur praninë e Forcave Paqësore (KFOR) të NATO-s në Kosovë, Sullivan tha se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in.
Ndërkohë që Sullivan dhe Kurti, trajtuan edhe dialogun nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian (BE) mes Kosovës dhe Serbisë, Sullivan ndau mendimin se kjo është zgjidhja e vetme afatgjatë për vazhdimin e stabilitetit në Kosovë.
– Ngjarjet më 24 shtator në veri të Kosovës
Tensionet të cilat vazhdojnë prej muajsh në veri të Kosovës u përshkallëzuan sërish pasi mëngjesin e 24 shtatorit një polic humbi jetën si pasojë e hapjes së zjarrit nga serbët e armatosur të cilët mbyllën rrugën në Banjskë ku jetojnë kryesisht serbët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se një grup i armatosur rëndë prej rreth 30 personash, të cilët i cilësoi si “strukturë profesionale terroriste/kriminale” sulmuan policinë e Kosovës dhe për këtë mbajti përgjegjës Serbinë.
Grupi i armatosur i strehuar në manastirin e Banjskës dhe përreth tij, u rrethua nga policia e Kosovës dhe në zonë vazhduan përleshjet gjatë ditës. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në operacionin e ndërmarrë në Banjskë u vranë 4 agresorë si dhe u arrestuan 6 persona të tjerë prej të cilëve 2 agresorë dhe 4 persona që mbështetën sulmin me lidhjet e radio-marrësve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmoi se ngjarja që rezultoi me vrasjen e një polici të Kosovës është kryer nga serbët e Kosovës.