RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA, raporti zbulon trajtim “barbar, neglizhues” të migrantëve në qendrat e ndalimit

shba,-raporti-zbulon-trajtim-“barbar,-neglizhues”-te-migranteve-ne-qendrat-e-ndalimit

Një raport thotë se emigrantët e mbajtur në qendrat e paraburgimit të Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave të SHBA-së (ICE) nuk kishin kujdes mjekësor adekuat, kishin kushte “të pasigurta dhe të ndyra”, si dhe u përballën me abuzime raciste, raporton Anadolu.

Inspektorët, të caktuar nga Departamenti i të Drejtave dhe Lirive Civile të Ministrisë së Sigurisë Kombëtare për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut në këto qendra, përgatitën një raport konfidencial prej 1.600 faqesh.

Raporti, i publikuar nga Radioja Publike Kombëtare (NPR) zbuloi kushtet e atyre që mbaheshin në qendrat ICE.

Inspektorët ekzaminuan më shumë se 24 qendra ndalimi të ICE në 16 shtete të SHBA-së nga viti 2017 deri në vitin 2019.

Ata u përballën me mungesën e kujdes mjekësor adekuat, duke përfshirë kujdesin ndaj shëndetit mendor, kushte “të pasigurta dhe të ndyra”, abuzime raciste të të ndaluarve, spërkatje me sprej të piperit të të ndaluarve me sëmundje mendore dhe probleme të tjera që, në disa raste, kontribuan në vdekjen e të ndaluarve.

Raporti zbuloi se një person u mbajt pa fashë, me një plagë të hapur për shkak të operacionit në qendër në Michigan. Personi i ndaluar nuk ka pasur asnjë vizitë mjekësore pas operacionit.

Në raport thuhet gjithashtu se i ndaluari nuk ka marrë as kujdesin më elementar për plagën e tij.

Në Georgia, një infermiere injoroi një të ndaluar i cili kërkoi urgjentisht një inhalator për të trajtuar sëmundjen e astmës. Edhe pse nuk është ekzaminuar asnjëherë nga personeli mjekësor, infermierja ka vënë një shënim në kartelën mjekësore se personi është ekzaminuar.

Në Pensilvani, një grup oficerësh lidhën një të ndaluar mashkull me sëmundje mendore në një karrige dhe i dhanë oficeres së vetme femër një palë gërshërë për t’ia prerë rrobat edhe për ta kontrolluar.

“Nuk ka asnjë arsye të justifikueshme që kërkon që të ndaluarit, i cili ishte me sëmundje mendore, t’i prisen rrobat nga një oficere femër, teksa ai ishte i lidhur në një karrige. Kjo është një praktikë barbare dhe në mënyrë të qartë shkel parimet themelore njerëzore”, thuhet në raport.

Edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, edhe administrata e presidentit Joe Biden, i janë shmangur publikimit të raportit, i cili zbulon praktikat kundër emigrantëve për më shumë se tre vjet.

NPR, e cila ngriti një padi sipas Ligjit për Lirinë e Informacionit, ishte në gjendje të kishte qasje në raport si rezultat i vendimit të gjykatësit federal.

Related posts

Çmimet e derivateve, lirohet për një cent nafta dhe benzina

admin

Konjufca uron Fitër Bajramin: Paqja, harmonia dhe lumturia duhet të jenë prioriteti ynë kryesor

admin

Mbi 5.800 palestinezë të arrestuar në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite që nga 7 tetori

rezart morina