RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

SHBA: S’ka kushte për zgjedhje në veri

shba:-s’ka-kushte-per-zgjedhje-ne-veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një reagimi në Twitter të mërkurën ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të planifikuara për 18 dhjetor.

Hovenier ka shtuar se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar ai në Twitter.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë ka dënuar incidentet e së martës në veri, duke thënë se përdorimi i dhunës dhe i frikësimi nuk është kurrë metodë e përshtatshme proteste.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shtuar Hovenier.

Të martën, në veri të Kosovës pati shpërthime të njëpasnjëshme me granata dore dhe shok-bomba. Sulmet nisën pas mbërritjes së zyrtarëve zgjedhorë nëpër komisionet komunale zgjedhore në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Reagime për sulmet pati kryeministrin Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, ndërsa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për orkestrimin e tyre.

Related posts

Turqia: Të heqim kufizimet ndaj eksporteve ruse për të zgjatur marrëveshjen e grurit

admin

Procedohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

admin

Zjarrvënësi i Ballkanit e ka emrin Aleksandar Vuçiq

admin