Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka deklaruar se çmontimi i Hamasit do të marrë “më shumë se disa muaj”, transmeton Anadolu.
Siç raporton kanali izraelit ‘Channel 13’, ministri izraelit i bëri këto komente gjatë takimit të tij me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, i cili mbërriti në Izrael sot më herët për bisedime mbi luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.
“Ne e vlerësojmë shumë angazhimin personal të këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Sullivan, në përpjekjet për lirimin e pengjeve, si dhe ndihmën në përpjekjet diplomatike dhe të sigurisë për transferimin e pajisjeve të sigurisë në shtetin e Izraelit”, u tha Gallant gazetarëve në fund të takimit.
Siç njofton zyra e kryeministrit izraelit, por pa dhënë detaje, Sullivan u takua edhe me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Sot më vonë, Sullivan është planifikuar të takohet edhe me kabinetin e luftës izraelite të kryesuar nga Netanyahu.
Vizita e tij vjen dy ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli po humbet mbështetjen në mbarë botën dhe se Netanyahu “duhet të forcojë dhe ndryshojë” qeverinë e tij.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje të sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Të paktën 18.787 paletinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.897 të tjera janë plagosur në sulmet izraelite që atëherë.